Rasti "Titanik", nuk u përmendën dispozitat e reja të Kodit Penal
Në seancën gjyqësore për rastin "Titanik", ku pritej të fillojë edhe implementimi i dispozitave të reja të Kodit Penal....

Në seancën gjyqësore për rastin "Titanik", ku pritej të fillojë edhe implementimi i dispozitave të reja të Kodit Penal, nuk u diskutua asnjë fjalë për vjetërsimin e lëndës penale "Shoqërim Kriminel". Seanca gjyqësore kaloi me dëgjimin e disa dëshmitarëve. Ndryshimet e fundit të Kodit Penal që janë në favor të të akuzuarve, nuk i përmendën as avokatët mbrojtës e as prokurorja publike.
Prokurorja publike, Lile Stefanova, këtë nuk do ta bëjë tani gjatë seancave kryesore, por do ta thotë në fjalët e fundit, ku gjykata vetëm do të konstatojë se për njërën nga veprat që ngarkohen të akuzuarit është vjetërsuar. Vepra penale që me ndryshimet e reja kalon në vjetërsim është vepra penale "Shoqërim Kriminel", për të cilën dënimi maksimal ka qenë 10 vite burg, ndërsa tani është zvogëluar deri në maksimum 3 vite burg, me çka kjo vepër vjetërsohet për të akuzuarin, ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-sekretarin gjeneral të Qeverisë, Kiril Bozhinovski. Me ndryshimet e reja të Kodit Penal, dënimi për veprën penale keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare, dënimi maksimal do të jetë 4 vite.
