Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Ahmeti: Unë them se do të bëhet
18.09.2023 15:22
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, është i bindur se do të bëhen ndryshimet kushtetuese...

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, është i bindur se do të bëhen ndryshimet kushtetuese, me të cilat Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Ai në një intervistë për TV21 nuk zbuloi datën e seancës, pasi siç tha, nuk është për ta ndarë me publikun, por është optimist se në momentin që do të thirret seancë do të bëhet edhe votimi. Ai porositi krerët politik, e në veçanti liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, që të shfrytëzojnë këtë mundësi të artë për vendin, sepse në të kundërtën në Maqedoninë e Veriut do të mbesin vetëm politikanët dhe biznesmenët, pasi të tjerët do ta braktisin vendin.
“Hristijan Mickoski duhet t’i mendojë gjërat mirë, sepse mban përgjegjësi si lider partie. Gjërat nuk e di si do të shkojnë, por është e domosdoshme që ndryshimet kushtetuese të ndodhin. Ne nuk duhet ta humbim shansin e artë. Ne jemi para hyrjes në dhomën kryesore. Në qoftë se Mickoski, Kovaçevski, Ahmeti, Thaçi, Taravari duan që të mbesin të vetëm këtu dhe të votojnë për njëri-tjetrin, atëherë mos t’i bëjnë ndryshimet kushtetuese dhe ne të sillemi vërdallë këtu, politikanë, biznesmenë, atëherë njerëzit do të na braktisin, sepse njerëzit duan jetë më të mirë.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nikollovski: Qëndrimi ynë mbetet i njëjtë
Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, deputeti Aleksandar Nikollovski, thotë se shpesh herë nuk është pajtuar me qëndrimet e Ahmetit, por në intervistën e fundit vetë lideri i BDI-së e ka përcjellur qëndrimin e VMRO-DPMNE-së, se me opozitën nuk ka marrëveshje për ndryshimet kushtetuese. Nikollovski thotë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë opsion i vetëm për dalje nga kriza politike.
“Tha se VMRO-DPMNE-ja nuk do të mbështesë ndryshime kushtetuese nën diktat bullgar. Kështu që kjo është konfirmim i qëndrimit tonë. Qëndrimi jonë mbetet i njëjtë. Është e qartë se në Kuvend nuk ka shumicë prej dy të tretash për të votuar ndryshimet kushtetuese. Dalja ma e mirë nga kjo krizë politike janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.
Kosotovski: DPMNE-ja është për izolim
Nga LSDM-ja thonë se partia e Mickoskit, përmes veprimeve të paarsyeshme, kërkon të bllokojë rrugën evropiane.
“DPMNE-ja është për izolim, për pasiguri ekonomike dhe për ngecje në vend. Nuk ka asnjë argument të vetëm se përse po bllokohet standardi më i mirë i jetesës së qytetarëve. Prandaj, bllokadat e DPMNE-së duhet të mposhten dhe ne do të bëjmë gjithçka që vendi të vazhdojë në rrugën evropiane.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Martin Kostovski.
Edhe fronti opozitar shqiptar i kushtëzon ndryshimet kushtetuese. Ata kërkojnë që gjatë hapjes së Kushtetutës të hiqet termi “20%” dhe të zëvendësohet me formulimin gjuha shqipe.
SANIJE DURAKU
