Maqedoni
Rasti "Spitali i Onkologjisë", Mexhiti: S'ka kompromis, përgjegjësi do të ketë
18.09.2023 17:08
Dy javë që kur Policia dhe Prokuroria kryen bastisje në Klinikën e Onkologjisë mbi dyshimet...

Dy javë që kur Policia dhe Prokuroria kryen bastisje në Klinikën e Onkologjisë mbi dyshimet për keqpërdorimin e terapisë së të sëmurëve me kancer, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, përsëriti se nuk do të ketë kompromis me asnjë nga të përfshirët në këtë rast. Thekson se nuk mund të futen të gjithë punëtorët shëndetësorë në të njëjtën shportë. Sipas tij, shëndetësia ka mjekë shumë të përgatitur dhe se Ministria e Shëndetësisë do të bëjë gjithçka për të ruajtur reputacionin e tyre.
“Si ministër ju garantoj se me kompetencat e mia, pa kompromis, nuk do të kursejmë askënd dhe do të punojmë. Atë që do të vërtetojmë, do ta sanksionojmë deri në fund. Në lidhje me pretendimet se pacientët kanë ardhur në Onkologji nga jashtë, aktualisht nuk kam informacion, por edhe nëse kemi pasur nuk mund të ndaj, për shkak të çështjes që po trajtohet nga Prokuroria dhe për rrjedhojë gjithçka që do të merret si vendim në fund, do të shpallet publikisht para të gjithëve. Pacientët i kemi referuar në Prokurori dhe aty bëhet puna më transparente me të gjithë ata që kanë informacion për rastin, përfshirë edhe familjet e tyre.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Rasti ndodhet në fazën parahetimore, ndërsa deri më tani janë dëgjuar një numër i madh i dëshmitarëve pacient në Onkologji dhe janë analizuar dokumente të tjera materiale. Autoritetet kompetente bëjnë thirrje që të gjithë atë që kanë dyshime rreth trajtimit në Spitalin e Onkologjisë ta paraqesin rastin në Prokurori.
FLORIJE KAMBERI
