Ekonomi

Bekteshi: Çmime të garantuara, më të lira për 10%

18.09.2023 17:33

Nga e mërkura, çmime të garantuara të produkteve, të cilat pritet të jenë më të lira për 10%....

Nga e mërkura, çmime të garantuara të produkteve, të cilat pritet të jenë më të lira për 10%, bëri të ditur ministri, Bekteshi. Produktet e qumështit, prodhimet e furrave të bukës, prodhimet e mishit, perimet dhe frutat janë pjesë e listës së produkteve, të cilat do të shiten me çmime të garantuara.
 
“Çdo konsumator, çdo qytetar në vendin tonë, kur të shkojë në një supermarket, do të ketë mundësinë të shohë një tabelë që do të tregojë çmimin e garantuar dhe përveç kësaj do të dijë se çmimet, që do të shënohen me këtë shenjë, nuk mund të ketë rritje deri më 30 nëntor.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. 
 
Nga organizata për Mbrojtjen e Konsumatorit thonë se masat kontribuojnë në amortizimin e goditjes së çmimit, që shkaktoi shkeljen e të drejtave të konsumatorëve. Ata apelojnë që të shtohen kontrollet inspektuese.
 
“Kemi pasur situata ku çmimet janë rritur çdo ditë. Në të gjitha tregjet çmimet janë identike, që do të thotë se institucionet do të thonë nëse ka pasur marrëveshje apo jo, por masa që do të marrë Qeveria tani është e mirë. Mendoj se është mirë, që vërtet është e nevojshme të ngrihen çmimet në një periudhë të caktuar, gjithashtu kontrolli nga shërbimet e inspektimit duhet të jetë më i madh.”, - theksoi Tatjana Tasevska nga Organizata e Konsumatorëve.
 
Produktet ushqimore janë në fazën e parë të uljes së çmimit, sepse aty janë vërejtur më së shumti palogjikshmëri. Bekteshi takoi edhe prodhuesit e pijeve. Ai paralajmëroi kompetencë të shtuar të Inspektoratit të Tregut për të vepruar menjëherë edhe për mbylljen e objekteve.
 
SEDAT SELIMI