DAP-i: Të hënën skadon afati për paraqitjen e tatimeve vjetore

09.03.2015 15:19

Edhe një javë kohë ka mbetur për paraqitjen e të ardhurave shtesë në Drejtorinë e të Ardhurave Publike....

Të gjithë qytetarët të cilët vitin e kaluar kanë realizuar të ardhura shtesë përmes punësimeve të ndryshme, honorarëve, kontratave autoriale dhe shitje-blerjeve dhe akoma se kanë kryer këtë obligim ligjor, mund ta bëjnë atë më së voni deri ditën e hënë. Të gjitha sportelet e DAP -it edhe gjatë kësaj jave do të punojnë intensivisht dhe me dy turne për t’i pranuar kërkesat e qytetarëve. Rreth 300 mijë qytetarë duhet të paraqesin tatimin nga fitimet vjetore.

“Paraqitja e tatimeve vjetore kryesisht shkon shpejt. Unë për 2-3 minuta mbarova punë dhe e dorëzova kërkesën për fitimet shtesë gjatë vitit 2014”- deklaroi një qytetar.

“Unë dorëzova kërkesën për paraqitjen e tatimeve vjetore për banesën e re që e kam blerë. Çdo vjet i  dorëzoj të gjitha kërkesat për paraqitjen e të ardhurave shtesë. Ka pak pritje nëpër sportelet e DAP-it, mirëpo është mëse normale, sepse qytetarët e presin momentin e fundit”- tha një qytetar.

Në Kontakt-qendrën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike vetëm sot janë paraqitur  rreth 40 mijë kërkesa, ndërsa në nivel shtetëror numri i tyre është mbi 180 mijë kërkesa për tatim. Për t’u shmangur rrëmujës karakteristike para sporteleve të DAP-it është mirë që qytetarët të mos presin ditët e fundit për paraqitjen e tatimit vjetor.

“Në Kontakt-qendrën e DAP-it deri më sot janë pranuar rreth 40 mijë kërkesa për  tatim. Afati i fundit për paraqitjen e të ardhurave shtesë është deri më 15 mars, mirëpo meqenëse data 15 i bie të dielën që është ditë jopune, paraqitjet e tatimeve vjetore do të mund të dorëzohen edhe gjatë ditës së hënë.Sipas të dhënave, në nivel shtetëror deri në këto çaste kemi pranuar mbi 180 mijë kërkesa nga ana e qytetarëve, ndërsa deri në fund të javës ky numër shpresojmë se do të rritet dyfish”- u shpreh Mihajlo Mihailov nga Kontakt-qendra e DAP-it.               

Paraqitjet vjetore tatimore mund të dorëzohen edhe nëpërmjet formës elektronike dhe postës. Qytetarët do të duhet t’i paraqesin të gjitha të ardhurat shtesë për kryerjen e përkohshme të veprimtarive, qirave, marrëveshjeve autoriale, dividentet, interesit, ndërsa nuk duhet të paraqesin të ardhurat e fituara në bastore, shpenzimet për udhëtime, të përdorimit të makinës personale, si dhe dhuratat të cilat shpërndahen nga Kombet e Bashkuara në shumën e caktuar me ligj. (Rexhep Qamili, TVM2)