Maqedoni
Zyberi: Involvimi i faktorit ndërkombëtar, i domosdoshëm
09.03.2015 15:27
Maqedonia po kalon nëpër një proces të vështirë politik, i cili dita-ditës vetëm sa po thellohet...

Kështu e vlerëson eksperti juridik, Naser Zyberi, situatën politike në vend, sipas të cilit, atmosfera irracionale e krijuar më së shumti godet vetë institucionet e vendit dhe funksionimin normal të tyre.
Dalja nga kjo situatë mund të arrihet vetëm nëpërmjet një dialogu midis palëve, por në mungesë të iniciativave të brendshme sërish do të jetë i nevojshëm involvimi i faktorit ndërkombëtar, thekson Zyberi.
“Sërish do të jetë e nevojshme që Maqedonia t’i kthehet historikut të vet kur në pamundësi të zgjidhjes autonome të problemeve të caktuara ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare, duke filluar nga viti 1994 me regjistrimin e popullsisë, vitin 94-96 ndërmjetësimi i OSBE-së në raportet shqiptaro-maqedonase, në vitin 2001 intervenimi ndërkombëtar i UE-së dhe SHBA-ve në vitin 2012-2013, pas krizës së 24 dhjetorit të vitit 2012 intervenimi i UE-së. Pra, Maqedonia nuk ka kapacitete të mjaftueshme demokratike institucionale që në mënyrë kushtetuese dhe ligjore t’i zgjidhë problemet, prandaj do të jetë e domosdoshme imediate sërish involvimi i faktorit ndërkombëtar dhe në atë mënyrë t’i ulë në tryezë të bisedimeve faktorët politik, të ndërtojnë një agjendë të cilën do ta pranojnë të gjitha palët e involvuara dhe pastaj përmes asaj agjende të dilet nga kjo krizë institucionale”- deklaroi eksperti juridik, Naser Zyberi.
Zyberi, thotë se zhvillimet politike do t’i kushtojnë shumë vendit në të gjitha fushat, përfshi edhe në procesin euroatlantik, proces ky që, sipas tij, është harruar për shkak të koncentrimit në problemet aktuale.
“Tashmë të gjithë faktorët e brendshëm dhe ndërkombëtarë janë të koncentruar në atë se si mos të eskalojë më tej kriza dhe si të dilet nga situata e krijuar. Kjo lë pasoja dhe kosto të shumëfishtë dhe shumëdimensional edhe në raportet e brendshme politike edhe në raport të sigurisë dhe në raportet ndërkombëtare, dhe në rend të parë ato procese eurointegruese të Maqedonisë. Maqedonia ka bërë me këtë që po i ndodhë aktualisht disa hapa mbrapa”- tha eksperti juridik, Naser Zyberi.
Zyberi, gjithashtu thotë se Maqedonia me këtë sjellje po i vërteton vërejtjet e apostrofuara pothuajse në të gjitha raportet e Komisionit Evropian.
Sipas tij, epilogu eventual i ndonjë marrëveshjeje politike më në fund duhet të përfundojë me zgjedhje të parakohshme.
NAIM RAMADANI
