BE thirrje Kosovës dhe Serbisë, të përmbushin marrëveshjet e arritura në bisedime

19.09.2023 11:22

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell...

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ministrat e Jashtëm të bllokut u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, dhe u shprehën të shqetësuar me mungesën e përparimit në takimin e javës së kaluar mes palëve në Bruksel.

“Ajo që ne duam, ajo që kërkojmë është që të fillojë zbatimi në bazë të propozimit tonë pa vonesa të mëtejshme. Dhe kjo përfshin detyrimin që të dyja palët të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e mëhershme”, tha  Borrell.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk u pajtuan javën e kaluar rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes ndërsa zyrtarët evropianë thanë se ishte kryeministri Kurti ai që nuk e pranoi një propozim për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit.

Kryeministri Kurti fajësoi të hënën të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak për dështimin e bisedimeve duke e akuzuar atë për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Evropian, por Borrell tha të hënën se ministrat e Jashtëm të bllokut ritheksuan mbështetjen e plotë ndaj ndërmjetësuesve.Diplomatët perëndimorë po bëjnë thirrje që palët të përshpejtojnë procesin e normalizimit mes shqetësimeve për ripërtëritje të dhunës në rajonin që ende po rimëkëmbet nga luftërat e viteve të 90-ta.