Botë
Kuvendi i Kosovës i drejtohet kushtetueses për Gjykatën Speciale
09.03.2015 15:40
Para se t’u qaset ndryshimeve kushtetuese të cilat kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale, Kuvendi i Kosovës...

Para se t’u qaset ndryshimeve kushtetuese të cilat kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale, Kuvendi i Kosovës ka vendosur të kërkojë mendim për kushtetutshmërinë e amendamenteve të propozuara nga qeveria.
Kjo u bë e ditur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili ka thënë se kuvendi fillimisht dëshiron të konfirmojë nëse këto ndryshime korrespondojnë me kushtetutën.
“Ne si kuvend, në rend të parë dëshirojmë të shikojmë se a korrespondon kjo me kushtetutën, për atë arsye e kemi adresuar në Gjykatën Kushtetuese”- deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Themelimi i kësaj gjykate është një obligim i marrë që nga prilli i vitit të kaluar, gjatë një letërkëmbimi të institucioneve të Kosovës me ato të Bashkimit Evropian, tha Veseli, i cili vlerëson se UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë çlirimtare, duke e çliruar popullin nga padrejtësitë dhe robëria, prandaj kjo çështje duhet proceduar që Kosovës të mos i mbetet asnjë njollë.
“Çdo gjë që ka të bëjë me UÇK-në, çdo gjë që ka të bëjë me të drejtën e Kosovës si shtet. Ne do ta procedojmë në mënyrën që asnjë njollë të mos i mbetet Republikës së Kosovës, qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe luftës së shpejtë të UÇK-së për çlirim”- tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Por, Veseli ka theksuar edhe nevojën e përmbushjes së kërkesave që vijnë nga miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, pasi, sipas tij, Kosova ka arritur deri këtu ku është sot vetëm falë partneritetit me ndërkombëtarë dhe edhe në të ardhmen Kosova duhet t’i kryejë obligimet që të jetë një shtet ligjor.
GYLTENE SINANI
