Maqedoni

Idrizovë, protestë me kërkesë për paralele shqipe

19.09.2023 14:31

Në vend që të jenë në banka shkollore, 13 nxënësit e klasës së gjashtë të Idrizovës...

Në vend që të jenë në banka shkollore, 13 nxënësit e klasës së gjashtë të Idrizovës, ata së bashku me prindërit vazhdojnë të protestojnë për hapjen e paraleles në gjuhë shqipe para shkollës fillore “Njegosh”, ku kanë mësuar deri në klasë të pestë. Por, ata edhe pse nuk shkojnë në shkollë, thonë se çdo ditë përsërisin mësimet në shtëpi.  
 
“Unë jam klasa e gjashtë dhe kemi humbur shumë prej mësimeve. Përsëris mësimet thjeshtë për të mos harruar shkrim-leximin.”, - tha një nxënës. 
 
“Unë dua që të hapet këtu shkolla, të mësoj këtu shqip, sepse e kam më afër.”, - u shpreh një nxënës tjetër. 
 
Njëri nga prindërit, Rizvan Seferi, thotë se me 25 maj kanë bërë kërkesë në Komunën e Gazibabës dhe ministrit të Arsimit për hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Dhe, këto si shenjë revolte edhe fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën bojkotojnë mësimin. 
 
“Kërkesat tona janë që nga viti 2009, por edhe më herët nga vitet e 95 për hapjen e paraleles në gjuhen shqipe këtu në Idrizovë. Kërkojmë që të hapet paralelja, sepse s’kemi ku t’i dërgojmë fëmijët  dhe nuk mund t’i lejojmë të udhëtojnë fëmijët nga 40 km  apo t’i dërgojmë në Ognjancë, ku kushtet janë katastrofale. Në atë shkollë nuk ka vend për nxënësit e asaj komune e për ne nuk bëhet fjalë. Por, vendi jonë për të mësuar shqip, për të vazhduar shqip janë në shkollën  “Njegosh”, ku në orën 12 e 30 mbyllet shkolla dhe nuk ka asnjë nxënës në këtë shkollë. Do të thotë se në ndërrimin e dytë shkolla është e lirë. Edhe paradite në këtë shkollë ka klasa të lira, por ne kemi kërkuar që  pas dite të mësojnë nxënësit shqiptar.”, - deklaroi përfaqësuesi i prindërve, Rizvan Seferi.
  
“Që 20 vite ne bëjmë lutje, por deri tani asnjë nuk është në gjendje të arsyetojë, që të thotë se kjo shkollë mund të hapet, sepse shkolla është gjysmë e zbrazur, ka vend për nxënësit tonë. Edhe unë kam mësuar në këtë shkollë deri në klasën e pestë, mandej na kanë larguar. Fëmijët e mi kanë mësuar deri në klasën e katërt këtu, mandej te “Kongresi i Manastirit” i kam dërguar me autobus edhe i kam pritur. I bëj apel ministrit, ndoshta ka aq ingerenca që fëmijët  të mund të vazhdojnë shkollimin këtu.”, - theksoi prindi, Ismet Etemi.
 
“Djalin e kam në klasë të gjashtë dhe dy fëmijë të tjerë mësojnë në këtë shkollë në ndërrimin e dytë. Klasat janë të zbrazura, edhe pse thonë që nuk ka kushte, por kushtet janë. Përse t’i dërgojmë fëmijët në shkollë në një komunë tjetër, kur kemi komunën tonë? Por, ka edhe shumë nxënës që janë regjistruar në gjuhën maqedonase, vetëm që të mos udhëtojnë në një shkollë tjetër.”, - u shpreh Ganimete Sejdiu. 
 
“Pse ministri nuk mund të na japë të drejtat tona si shqiptarë, që fëmijët tonë mos të shkojnë në shkollë në Shkup, duke e pasur këtu shkollë. Ne do të organizojmë edhe në Shkup protestë, do t’i bllokojmë rrugët deri sa të hapet paralelja në gjuhën shqipe.”, - tha Bedri Ademi. 
 
“Apeli im është që fëmijët të mësojnë në këtë shkollë deri në klasën e nëntë, sepse janë mundësitë, kushte ka, por ata nuk duan. Kam qenë në takim me drejtorin e mëparshëm dhe na ka thënë që nuk është deri te ato, edhe pse shkolla është e zbrazët.”, - u shpreh një prind.
 
Nxënësit dhe prindërit thonë se protesta do të vazhdojë edhe ditën e premte para Komunës së Gazibabës.
 
REJHANE METAJ