LSDM/VMRO, përplasje rreth ndryshimeve kushtetuese

19.09.2023 15:36

Kanë vazhduar përplasjet mes dy partive më të mëdha politike....

Kanë vazhduar përplasjet mes dy partive më të mëdha politike maqedonase, për sa u përket ndryshimeve kushtetuese dhe procesit të Integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. LSDM-ja përmes deputetit, Martin Kostovski, ka  akuzuar VMRO-DPMNE-në se e njëjta kërkon të bllokojë të gjitha këto me veprimet e saj të paarsyeshme. Sipas partisë në pushtet, DPMNE-ja është për izolim, për pasiguri ekonomike dhe për të ngecur në vend, ndërsa akoma mbetet skeptik për çështjen se a thua vallë deri më 30 nëntor do të arrijnë të kalojnë në Kuvend.

“Ndryshimet kushtetuese kanë një refleksion të veçantë në rrugën euro-integruese, por a do të mbahet seanca deri më 30 nëntor nuk mund të konstatoj me siguri, por LSDM-ja dhe kjo shumicë parlamentare, po bëjmë përpjekjet maksimale për ta elaboruar faktin se pse duhet të votohen ndryshimet kushtetuese. Besojmë se do ta arrijmë deri tek 2/3 e votave në Kuvend apo mbi 80 deputetë. Kryeministri ka pohuar se do të kemi 113 deputetë. Pra, secili deputet duhet të ketë përgjegjësi dhe mund të them jemi shumë afër këtij numri.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski.

Por, VMRO-DPMNE-ja ka ripërsëritur qëndrimin e tyre se ndryshime kushtetuese nën ndikimin bullgar nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë. Deputeti i kësaj partie, Nikolla Micevski, ka pohuar se VMRO-DPMNE-ja është konzistente në qëndrimet e saja.

“VMRO-DPMNE-ja është konzistente në qëndrimet e saja se ndryshime kushtetuese nën ndikimin bullgar nuk do të ketë, sepse ne si subjekt as nuk jemi konsultuar, e as nuk i kanë dëgjuar sygjerimet tona. Këto qëndrime tona, ne i kemi publikuar edhe në takimet që i kemi me korrin diplomatik dhe këtu hapësirë për pazarllëqe politike nuk ka. Shumica aktuale duhet ta ketë të qartë se nuk kanë shumicën prej 2/3 të deputetëve dhe nuk duhet ta stërgjatin këtë proces, por të shkohet menjëherë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.

Micevski ka thënë se deputetët e VMRO-DPMNE-së janë të lirë në vendimet e tyre  dhe votojnë çdoherë sipas bindjeve që kanë. Por, LSDM-ja këto dallime diametralisht të kundërta të këtyre dy subjekteve i sheh si përballje të dy koncepteve, pro Bashkimit Evropian dhe Zhvillimit të vendit dhe kundër BE-së dhe Izolimit të vendit. (Fitim Kryeziu, TVM2)