Ekonomi

Bekteshi: Prej të mërkurën ulje të çmimeve për 10%

19.09.2023 15:55

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka bërë të ditur se është përcaktuar lista e produkteve...

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka bërë të ditur se është përcaktuar lista e produkteve që nga nesër do të shiten me çmime të ulët për 10% krahasuar me çmimet që vlenin në tregje më 1 gusht. Bëhet fjalë për produktet e qumështit, prodhimet e furrave të bukës, prodhimet e mishit, perimet dhe frutat që janë pjesë e listës së produkteve, të cilat do të shiten me çmime të garantuara.
 
“Çmimet nga 1 gushti e deri më sot mund të ishin rritur për 100%, por kjo është zero për ne, kjo nuk vlen, që do të thotë se do të aplikojmë uljen prej të paktën 10% si çmim referencë nga 1 gushti për të gjithë  produktet që janë të listuara. Ajo që ka ndodhur nga 1 gushti e deri më sot nuk vlen.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. 
 
Bekteshi u bëri thirrje prodhuesve dhe tregtarëve që të koordinohen, pasi inspektorët e tregut do të lëshojnë urdhra ndëshkimore me “ndalim aktiviteti”, pra do të mbyllen dyqanet.
 
“Ne jemi këtu dhe do të flasim çdo ditë në këtë temë. Thjesht kërkoj nga përfaqësuesit e medias, qytetarët, nëse vërejnë mosrespektim të masave të tilla, duke qenë se bëhet fjalë për mijëra subjekte në nivel shtetëror, të informojnë Inspektoratin Shtetëror të Tregut. Nëse Inspektorati Shtetëror i Tregut nuk vepron siç duhet, si Ministri e Ekonomisë,  si Qeveri, do të marrim masat e duhura ndaj Inspektoratit Shtetëror të Tregut.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. 
 
Produktet që do të kenë ulje për 10% duhet të shënohen me shenjën “çmim i garantuar” në raftet e supermarketeve. Ky vendim do të jetë i vlefshëm deri në fund të nëntorit të vitit 2023.
 
SEDAT SELIMI