Maqedoni

Këshilla praktike për efikasitet energjetik

09.03.2015 16:07

Që të arrijmë deri tek faturat më të lira elektrike, duhet të jemi më efikas në shfrytëzimin e energjisë elektrike...

Këshilla praktike për efikasitetin energjetik në jetën e përditshme të qytetarëve, implementimi i pasaportave energjetike, zbatimi i teknologjisë së re energjetike efikase për kompanitë dhe efikasiteti energjetik në rrjetin distributiv ishin temat kyçe që u cekën gjatë punëtorisë organizuar nga EVN-Maqedoni, Ministria e Ekonomisë dhe Agjencia për Energjetikë në suaza të platformës për efikasitet energjetik.
 
Energjia e nevojshme elektrike për ndriçimin e një hapësire mund të jetë e mjaftueshme për ndriçimin e gjithë hapësirës në shtëpi nëse përdoren ndriçues efikas.
 
Nëse një ndriçues prej 100 kilovatëve është në funksion gjatë gjithë vitit, mund të harxhojë 876 kilovatë energji, përderisa studimi tregon që për 1 kilovat energji mund të shfrytëzohet për hekurosjen e 11 këmishave, apo të përgatiten 90 kafe.
 
Ndërtimi i shtëpive me termo-fasadë, izolimi dhe aplikimi i dritareve të reja dukshëm mund të ndikojnë në zvogëlimin e shpenzimeve për energji elektrike. Kursimi i energjisë elektrike, përveç kursimit në të holla, kontribuon edhe në ruajtjen e resurseve natyrore dhe ambientit jetësor.
 
“Secili pajtohet se efikasiteti energjetik është temë shumë e rëndësishme për shoqërinë, amvisëritë dhe kompanitë. Mund të kurseni shumë para dhe mund të ruani mjedisin jetësor. Kjo u mundësua për shkak të bashkëpunimit të mirë mes Ministrisë së Ekonomisë dhe më vjen mirë që mund të lajmëroj që kemi partner të ri në këtë platformë për efikasitet energjetik dhe kjo është Agjencia për Energjetikë”- deklaroi kryetari i Bordit Drejtues të EVN-së, Shtefan Peter.
 
“Shpresoj që këto tema që i diskutuam në këtë punëtori do të depërtojnë tek opinioni më i gjerë që të rritet efikasiteti energjetik në sektorin rezidencial, si dhe mundësitë për efikasitet më të madh energjetik në industri, pasi që të dyja do të ndihmojnë që Maqedonia t’i ruaj resurset e saj natyrore dhe në të njëjtën kohë të ndihmojmë të kemi gjendje më të mirë ekonomike në vend”- tha drejtori i Agjencisë për Energjetikë, Aleksandar Dukovski.    
                                       
Rezultatet pozitive nga implementimi i sistemit për efikasitet energjetik gjatë punëtorisë i prezantuan edhe të punësuarit në EVN-Maqedoni, përfaqësues nga “Xhonson Meti” dhe përfaqësues nga firma për ndërtimtari “Zhikoll”.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI