Botë

Borrell: Kosova e Serbia të nisin zbatimin e marrëveshjes

19.09.2023 17:03

Pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se në takimin e fundit në Bruksel...

Pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se në takimin e fundit në Bruksel, pozicionimi i ndërmjetësit Lajçak ishte qartë kundër Kosovës, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se blloku evropian kërkon që Kosova dhe Serbia “pa vonesa” të nisin zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.
 
“Ajo se çfarë duam ne, çfarë kërkojmë është nisja e zbatimit bazuar në propozimin tonë, pa vonesa të mëtejme dhe kjo përfshin edhe obligimin për të dyja palët, që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura më herët në dialog.”, - theksoi shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
 
Ai këto komente i bëri gjatë një konference për media pas takimit joformal në Nju Jork me ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Në këtë takim, ai ka informuar ministrat për rundin e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që përfundoi pa ndonjë rezultat.
 
Bashkimi Evropian ka thënë se është i shqetësuar për mungesën e zbatimit të zotimeve të arritura në Marrëveshjen për normalizim dhe Aneksin e Zbatimit, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan më herët. BE-ja ka përkujtuar se marrëveshja është obligative dhe luan rol në rrugën evropiane të të dyja vendeve. BE-ja ka përsëritur se kërkesat e 3 qershorit mbesin të vlefshme e se masat e ndërmarra, përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. Bashkimi Evropian ka përsëritur se është e rëndësishme që të mbahen sa më shpejt zgjedhjet e reja në veri të Kosovës.
 
Krasniqi: Dorëheqja e kryetarëve, kërkesë e Beogradit
 
Nga ana tjetër, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se kërkesa për dorëheqjen e kryetarëve të komunave veriore vjen nga Beogradi dhe Kosova insiston që shkarkimi i kryetarëve të bëhet nëpërmjet peticionit.
 
“Dorëheqja e kryetarëve është kërkesë e Beogradit, ne nuk jemi këtu që të brengosemi se çka mendon e çka kërkon Beogradi, ne jemi këtu si institucioni që të përkujdesemi për demokracinë.”, - u shpreh ministri i pushtetit lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi.
 
Ndërkohë një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara ngushtësisht me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
 
GYLTENE SINANI