Maqedoni

Alternativa, Besa dhe Lëvizja Demokratike: Pushteti po hesht për shkarkimin e Jovevskit

19.09.2023 17:44

Partitë opozitare shqiptare me kritika ndaj kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, si dhe partive në pushtet, BDI dhe ASh...

Partitë opozitare shqiptare me kritika ndaj kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, si dhe partive në pushtet, BDI dhe ASh, se po heshtin për interpelancën e tyre ndaj kryeprokurorit, Lubomir Joveski. Deputetja e Alternativës, Safije Sadiki Shaini, në emër edhe të Lëvizjes Besa dhe Lëvizjes Demokratike, kritikoi kryeparlamentarin se edhe pas 15 ditësh, nuk e ka vendosur interpelancën në rend dite.
 
“Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, edhe pse është i obliguar nga rregullorja që në afat prej 15 ditësh që nga dorëzimi i interpelancës në seancën e parë plenare ta vë atë në rend dite, prej tij deri tash kemi vetëm heshtje. Heshtje, dhe madje mashtrim me opinionin kemi edhe nga kreu i BDI-së, z. Ali Ahmeti, në vend se të deklarohet për interpelancën tonë, sepse fundja ajo ka të bëjë me së paku 14 jetë të humbura në Spitalin Modular të Tetovës, ai vazhdon të brengoset më shumë si ta shpëtojë Nikolla Gruevkin, si ta marrë edhe njëherë pushtetin, si të mashtrojë edhe njëherë me temën e presidentit konsensual dhe gjepura të tjera, që veç temën qendrore, a është ai për shkarkimin e Lubomir Joveskit apo jo, nuk e ka askund.”, - theksoi Safije Sadiki Shaini nga Alternativa.
 
Sipas opozitës shqiptare, për këtë interpelancë po hesht edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe deputetët e kësaj partie, të cilët nuk e kanë nënshkruar interpelancën dhe nuk janë prononcuar nëse janë për apo kundër shkarkimit të kryeprokurorit Jovevski. 
 
BELINDA KOKA ADEMI