Maqedoni
Ministria e Shëndetësisë: foshnjat e vdekura nuk pranuan vaksinë “Diteper”
09.03.2015 16:34
Fëmijët për të cilët në media u plasua informacioni se kanë vdekur nga reaksioni pas marrjes së vaksinës “Diteper”...

Fëmijët për të cilët në media u plasua informacioni se kanë vdekur nga reaksioni pas marrjes së vaksinës “Diteper”, nuk janë vaksinuar asnjëherë me vaksinë të tillë.
Këtë fakt e bëri të ditur doktoresha, Jovanka Kostovska, nga Mbrojtja Shëndetësore Preventive, sipas të cilës, njëri nga fëmijët ka qenë dymuajsh, tjetri një muaj, ndërsa kjo vaksinë aplikohet kur foshnja mbush tre muaj.
“Është formuar për momentin komision që gjendet në të dy shërbimet për imunizim, që të vërtetohet saktësisht se a kanë pranuar këta fëmijë vaksinë. Për informacione më të detajuara duhet të presim rezultatet e obduksionit dhe ato të komisionit”- deklaroi Jovanka Kostovska nga Mbrojtja Shëndetësore Preventive.
“Ai që ka plasuar këtë informacion ka pasur për qëllim të shkaktojë panik dhe të ndikojë tek përqindja e vaksinimit në vend, të ndikojë në shkatërrimin e sistemit të vaksinimit, andaj i lus të gjitha mediat të jenë të kujdesshme gjatë transmetimit të informatave të tilla, sepse pas këtyre informacioneve ka ide”- tha ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.
Të gjitha vaksinat që aplikohen janë të sigurta dhe të kontrolluara, bën të ditur Todorov. Kjo vaksinë është me prejardhje nga Bullgaria, dhe Maqedonia e shfrytëzon nga viti 2012.
Përveç reaksioneve të padëshiruara, si rritje të temperaturës dhe edem në vendim e aplikimit, nuk ka kontraindikacione të tjera.
FLUTURA LATIFI
