Botë

Seanca e 78-të në APKB, Guterres: Të bashkohemi, krizat po na çojnë drejt kolapsit

19.09.2023 18:07

Bota po përballet me një sërë kërcënimesh ekzistenciale, kriza klimatike, përçarja e teknologjisë, luftërat, fatkeqësitë...

Bota po përballet me një sërë kërcënimesh ekzistenciale, kriza klimatike, përçarja e teknologjisë, luftërat, fatkeqësitë. Këto janë disa nga sfidat botërore, që kërkojnë po ashtu përgjigje botërore, theksoi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në raportin e tij vjetor.  Sipas tij, problemet kërkojnë zgjidhje, ndërkaq institucionet duhet t’i përshtaten mekanizmave për të ardhur tek vendimet. 
 
“Bota ka ndryshuar, institucionet tona jo. Ne nuk mund t’i trajtojmë në mënyrë efektive problemet siç janë, nëse institucionet tona nuk reflektojnë botën ashtu siç është. Me të vërtetë ndarja po thellohet, ndarja midis fuqive ekonomike dhe ushtarake. Ndarje midis Veriut, Jugut, Lindjes dhe Perëndimit.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. 
 
Sfida më e madhe për organizatën universale mbeten nxehja e planetit dhe ndryshimet klimatike.
 
“Tensionet politike po rriten, sfidat globale po shtohen dhe ne dukemi të paaftë të bashkohemi për t’u përgjigjur. Duhet të jemi të vendosur për të  trajtuar kërcënimin me nxehjen e planetit. Ndryshimi klimatik nuk është ndryshim i motit. Ndryshimet klimatike po ndryshojnë jetën në planetin tonë.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. 
 
Në raportin e tij vjetor, për fatkeqësitë natyrore që kërkojnë mobilizim, Guterres theksoi konfliktet e krijuara nga njeriu. Përballë këtyre krizave në rritje, sistemi global është në prag të kolapsit tha ai, duke përmendur gjendjen në Siri, fatkeqësitë në Libi, luftën në Ukrainë, terrorin në Lindjen e Mesme, Palestinën, si dhe shumë situata konfliktesh për çka bën thirrje për paqe në këto vende, në të kundërtën, thotë se arkitektura e paqes dhe sigurisë është para një tendosjeje të paparë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU