Maqedoni

Xhaferi: me rëndësi origjina e bisedave dhe “abuzimi”

09.03.2015 16:40

Anëtari i Kryesisë Qendrore të BDI-së, njëkohësisht nënkryetar i Qeverisë, Musa Xhaferi, nuk preferon të komentojë përmbajtjen e bisedave të përgjuara...

Anëtari i Kryesisë Qendrore të BDI-së, njëkohësisht nënkryetar i Qeverisë, Musa Xhaferi, nuk preferon të komentojë përmbajtjen e bisedave të përgjuara, të cilat po i publikon kreu i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Ai vlerëson se me rëndësi është të vërtetohet autorësia e incizimeve në formë institucionale. Xhaferi, thotë se BDI do të përpiqet të mbrojë interesin kolektiv të partisë nëse të ashtuquajturat “bomba” do zbardhin materiale kompromituese për ministrat e BDI-së. 
 
“Në fakt, përgjigjja ime është se nuk është me rëndësibiseda ose autorësia e bisedës sa është, se nga janë ato biseda dhe kush i ka nxjerrë apo kush i ka abuzuar, nëse mund të themi në këtë rast”- deklaroi Musa Xhaferi nga BDI.
 
Pavarësisht cilësimit të situatës si të komplikuar, turbulente dhe krizë politike, shtyllat kryesore të kongresit tematik të BDI-së do të jenë integrimi euroatlantik, marrëdhëniet e mira me fqinjët dhe qeverisja e mirë.     
 
“Në kongres do të ketë disa panele që do të debatohen temat më të rëndësishme që preokupojnë vendin tonë, siç janë integrimet euroatlantike, marrëdhëniet e mira me fqinjët dhe të arriturat, gjegjësisht sa ndihmoi në stabilizimin dhe mokratizimin e vendit MO-ja, gjegjësisht kushtetuta, siç e quajmë, e vitit 2001, e cila në bazë të analizave të deritashme del si rruga e vetme që ndihmon anëtarësimin e vendit në NATO dhe në BE”- tha Musa Xhaferi nga BDI.
 
Në konferencën e sotme për shtyp, Xhaferi hodhi poshtë edhe spekulimet se në qeveri është themeluar një komision, i cili po shqyrton stemën e re të vendit.
 
Sipas tij, nuk ka as pretendime për një komision të tillë që do diskutonte për ndonjë propozim-stemë.
 
SHPËTIM NUREDINI