Ekonomi
Prej sot hyri në fuqi ngrirja e çmimeve, qytetarët: Nuk po e vërejmë uljen e çmimeve
20.09.2023 13:42
Nga 20 shtatori deri më 30 nëntor rreth 50 produkte ushqimore do të shiten për një çmim prej 10 për qind...

Nga 20 shtatori deri më 30 nëntor rreth 50 produkte ushqimore do të shiten për një çmim prej 10 për qind më lirë sesa deri tani. Në mesin e produkteve që do të shiten më lirë janë buka, mishi, qumështi dhe prodhimet e tij, pemët dhe perimet.
Edhe përkundër paralajmërimeve nga kompetentët për uljen e disa produkteve ushqimore në tregun e Bit Pazarit, ngelet e njëjta, çmimet vazhdojnë të jenë të larta.
Qytetarët e anketuar thonë që vendi ynë ndodhet në krizë ekonomike dhe se çmimet janë të papërballueshme, shpresojnë të përmirësohet kjo gjendje.
“Të gjitha normale ishin. Jo, jo, vezët njëjtë ishin, domatet njëjtë 100 denarë, gjithçka njëjtë, ndryshim nuk kishte asgjë.”, - tha një qytetar.
“Shtrenjtë janë!”, - tha një qytetare.
“Duhet, por nuk i ulin çmimet, ato vetëm reklama i kanë, edhe kompanitë edhe shteti.”, - u shpreh një qytetar.
“Çmimet e sotme janë shtrenjtë, nuk kemi mundësi gjithçka të marrim, më herët merrnim nga 1 kg, tani gjysmë kilogrami e marrim. Shpresoj të rregullohen, sepse Maqedonia është në krizë të madhe.”, – u shpreh një qytetar tjetër.
Edhe shitësit thonë që çmimet nuk i caktojnë vet dhe kur furnizohen i marrin me çmim të lartë.
“Sa i përket çmimeve, ata kanë rënë, ka edhe të larta, në krahasim me vitet e tjera. Jemi në një vend jashtëzakonisht të dobët. Çmimet nuk duhet të zbriten tek ne, por nga vjen malli nga jashtë, atje duhet ta bëjnë llogaritjen e çmimeve, jo këtu tek ne.”, - tha një shitës.
“Çmimi i fasules është 200 denarë, këtë vit është më shtrenjtë se vitin e kaluar.”, - tha një shitës tjetër.
“Çmimet janë të njëjta, varet prej cilësisë. Shitja është e dobët.” – u shpreh një shitës.
“Nuk kemi ndryshuar asgjë në çmimet, nuk varet nga ne, por nga prodhuesit.”, - u shpreh një shitës tjetër.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se Qeveria u detyra të marrë masa për ndryshimin e çmimeve të produkteve bazike, pasi gjeti dallim të madh të çmimeve të tyre në tregjet botërore me ato vendore.
VLORA LATIFI TOPOJANI
