Maqedoni

Amnistia e Gruevskit, VMRO-DPMNE: Pushteti dëshiron të përçajë VMRO-në

20.09.2023 14:00

Qeveria e kryesuar nga Kovaçevski dhe Ahmeti është duke negociuar një amnisti për Gruevskin...

Qeveria e kryesuar nga Kovaçevski dhe Ahmeti është duke negociuar një amnisti për Gruevskin në mënyrë që ai të ndikojë në ndarjet në VMRO dhe t'i ndihmojë pushtetit të miratojnë amendamentet kushtetuese, theksojnë nga VMRO-DPMNE-ja. Sipas tyre, ndryshimet në Kodin Penal kanë qëllim të dyfishtë, amnistimin e zyrtarëve të pushtetit aktual dhe të ndikojnë në proceset që kanë të bëjnë me Gruevskin.
 
“Ndryshimet në Kodin Penal janë negociuar nga LSDM-ja, BDI-ja dhe njerëz nga partitë më të vogla politike, që duan përçarje në opozitë. Këtë deklaratë me dashje apo rastësi e ka thënë publikisht në një intervistë edhe Ali Ahmeti. Në deklaratën e Ahmetit theksohet se VMRO-DPMNE-ja në krye me Mickoskin as nuk ka negociuar për ndryshimet në Kodin Penal, as nuk është pajtuar se është kundër ndryshimeve në Kodin Penal dhe është kundër ndryshimit të Kushtetutës nën diktimin bullgar.”, - deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE. 
 
BDI: Ndryshimet në Kodin Penal, kërkesë e Mickoskit
 
Nga BDI-ja kundërpërgjigjen duke thënë se kryetari Ahmeti ka folur rreth negociatave që janë bërë gjatë procesit të Përzhinës, kurse ndryshimet në Kodin Penal, sipas integristëve, ishin kërkesë edhe e kryetarit aktual të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Sipas BDI-së, kjo luftë brenda VMRO-së është në mes forcave që duan integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe atyre që preferojnë izolimin. 
 
“Ndryshimet në Kodin Penal fillimisht u aktualizuan nga VMRO-ja para ndryshimeve kushtetuese për Marrëveshjen e Prespës. Më pas, Kodi Penal ishte gjithashtu kërkesë edhe e kryetarit të ri të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, në takimet e liderëve dhe ato bilaterale, por pas distancimit të tij nga ish-udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së, edhe përkundër pajtimit të LSDM-së, ai u tërhoq nga kjo kërkesë.”, thonë nga BDI.  
 
LSDM: Për Gruevskin nuk do të ketë amnisti
 
Nga ana tjetër nga LSDM-ja theksojnë se pikërisht Hristian Mickoski duhet të japë përgjegjësi për marrëveshjet me ish-liderin e tij, Nikolla Gruevski. Sipas LSDM-së, kërkesat për amnisti të Gruevskit janë bërë pikërisht nga struktura të VMRO-DPMNE-së. 
 
“Pikërisht Hristian Mickoski do të duhet të përgjigjet për dakordimet me Gruevskin. Nëpërmjet akuzave të rreme, Mickoski po fsheh kërkesat për amnisti të bashkëpartiakëve të tij, për shkak të pakënaqësive nga ana e tij. Politika e bllokadës së Mickoskit është vetëm kopje e origjinalit dhe është më se e dukshme se ka struktura në DPMNE, të cilët janë të pakënaqur nga ai. Për Nikolla Gruevskin nuk do të ketë amnisti dhe do të burgoset në momentin e njëjtë kur do të vijë në shtet.”, - theksoi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Darko Kaevski. 
 
Nga LSDM-ja, shtojnë se politikat e bllokadave të Mickoskit janë vetëm kopje e origjinalit dhe se ka struktura në VMRO-DPMNE-në, të cilat nuk janë të kënaqur nga ai. 
 
ERSAN PAJAZITI