Maqedoni
MShIA prezantoi një strategji të re për reformë në Administratën Publike
20.09.2023 14:17
Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës në bashkëpunim me SIGMA-n dhe OECD-in...

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës në bashkëpunim me SIGMA-n dhe OECD-in kanë prezantuar strategjinë e re për reformë në Administratën Publike (2023 – 2030). Ky dokument përmban aktivitete për optimizimin e Administratës Publike dhe ndërlidhjen e institucioneve, me qëllim ofrimin e shërbimeve sa më shpejt ndaj qytetarëve. Sipas ministrit Aliu, qëllimi i kësaj strategjie është të kemi një administratë kompatibile me atë të Unionit Evropian.
“Pikërisht Strategjia parashikon një analizë funksionale të institucioneve në aspektin e optimizimit të institucioneve, por edhe në aspektin e optimizimit të kapaciteteve njerëzore nëpër institucionet dhe të mund ta ndjekim transformimin digjital në kohë reale për qytetarët tanë. Të gjitha format e keqpërdorimit apo keqmenaxhimit të institucioneve në këtë strategji janë të parapara si në strategjinë, ashtu edhe në planin aksional dhe përmes digjitalizimit, ne do t’i përmirësojmë të gjitha këto procese.”, - deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu.
Në bashkëpunim me Strategjinë, në kuadër të këtij dokumenti do të jenë edhe dy plane aksionare katër vjeçare, edhe atë njëri deri në vitin 2026, e tjetri deri në vitin 2030. Ndërkohë, kryeministri Kovaçevski tha se qytetarët meritojnë shërbime cilësore.
“Çdokush që kontribuon në buxhetin e vendit ka për detyrë të marrë shërbime të shpejta dhe kualitative nga institucionet. Digjitalizimi i institucioneve është edhe një luftë kudër krimit dhe korrupsionit.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Lidhur me keqpërdorimin e balancerit gjatë punësimeve, ministri Aliu tha se kjo gjë zgjidhet me ligj.
“Ju nuk gjeni një qytetar në shtetet evropiane, i cili ndryshon brenda ditës nacionalitetin vetëm të jetë pjesë e një institucioni dhe ky është nënçmim edhe është nënçmim edhe për institucionin, edhe për këtë qytetar që bën këtë hapë. Detyrimisht do të gjejmë formë që ta mbrojmë këtë dhe ta zëvendësojmë më ligj.”, - u shpreh ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu.
Sipas ambasadorit evropian, David Geer, reforma e Administratës Publike ka një pozicion absolutisht qendror, si për zhvillimin e vendit, ashtu edhe për perspektivën e tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
FITIM KRYEZIU
