Maqedoni

Pensionistët protestuan para Qeverisë, kërkojnë pensione më të larta

20.09.2023 14:39

Pensionistët e vendit tonë në ditën ndërkombëtare të tyre protestuan para Qeverisë për një jetë të dinjitetshme...

Pensionistët e vendit tonë në ditën ndërkombëtare të tyre protestuan para Qeverisë për një jetë të dinjitetshme. Kërkojnë rritje lineare të pensioneve prej 3,500 denarë, pension minimal prej 18 mijë denarë dhe ndryshimin e metodologjisë së përllogaritjes së pensioneve. Pensionistët protestues nuk janë të kënaqur dhe nga përfaqësimi i kryetares së Shoqatës së Pensionistëve, Stanka Trajkova dhe aludojnë se ajo nuk është transparente dhe pengon organizimin e protestave. 
 
“Është formuar grupi punues nga Stanka dhe të tjerët në Qeveri, kanë formuar metodologji të dëmshme për ne dhe nuk kemi qenë prezent për të parë se për çfarë po merren vesh. Po presim që të dalin me një marrëveshje dhe nëse nga marrëveshja nuk jemi të kënaqur, do t’u japim afat 7 ditor dhe më pas si shoqatë do të marrim masa për radikalizim të protestave.”, - deklaroi koordinatori i Këshillit Nacional të Pensionistëve, Dragan Ugrinoski.  
 
“Ne kërkojmë rritje lineare të pensioneve nga muaji shtator që të ketë rritje prej 3,500 denarë. Deri sa nuk plotësohen kërkesat tona për rritje lineare dhe ndryshimin e metodologjisë, ne nuk do të ndalojmë së protestuari. Ne nuk kemi mundësi të blejmë dhe barna dhe për të ngrënë. Ashtu siç janë rritur shpenzimet për kategorinë e të punësuarve, edhe për ne janë rritur njëjtë.”, - tha një pensioniste. 
 
“Jemi mbledhur sot kundër Qeverisë, që na neglizhon dhe na shkel të drejtat tona. Kërkojmë rritje lineare prej 3,500 denarëve. Nuk kërkojmë të shkarkojmë shtetin, por rritjen e pensioneve ose të ketë pension minimal 20 e 500 denarë.”, - u shpreh pensionisti, Ismail Lika.
 
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, pardje njoftoi se deri në fund të muajit pret propozime konkrete për pensionet. Rritja lineare prej 3,500 denarëve buxhetit shtetëror në vit i kushton 230 milion euro.
 
GAZMEND REXHEPI