Botë

Krerët e institucioneve të Kosovës, qëndrim unik, se Lajçaku po mban anën e Serbisë

20.09.2023 15:01

Krerët e institucioneve të Kosovës janë unik në qëndrimin e shprehur nga kryeministri, Albin Kurti...

Krerët e institucioneve të Kosovës janë unik në qëndrimin e shprehur nga kryeministri, Albin Kurti, se ndërmjetësi i BE-së, Lajçak, është pozicionuar në anën e Serbisë.  Kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se deklarimet e kryeministrit Kurti nuk kanë qenë akuza, por konstatime për mënyrën e punës së emisarit, Lajçak. Konjufca tha se ka vetëm një çelës që dialogu të vazhdojë, e ai është që Asociacioni të formohet bashkë me njohjen nga Serbia.
 
“Është vërejtur që në fillim se zotëri Lajçaku, qëndrimet të cilat i artikulon më shumë janë marrje e pozicionit të Serbisë fillimisht, e pastaj përpjekje që përmes mekanizmave të ndryshme dhe formulimeve që ai i nxjerr në zgjidhjet që i propozon të mund të jetë pikënisje e pozicionit të Serbisë. Si të mund të akomodojë në mënyrë sa më të përshtatshme pozicionimin e Serbisë, e cili është pozicionimi i Serbisë? Pozicionimi i Serbisë është që Kosova duhet ta bëjë një asociacion jashtë çdo ombrelle politike të procesit që e ka arritur këtë pikë ku jemi tash.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
 
Reagimi i kryeministrit Kurti nuk ishte hera e parë kur pala kosovare ka shprehur pakënaqësi ndaj qëndrimeve të Lajçakut, por reagimet paraprake kanë qenë interne, thotë për Zërin e Amerikës, shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla Shfarc.
 
“Ne disa herë e kemi shprehur pakënaqësinë tonë në mënyrë interne rreth faktit se si Miroslav Lajçak e udhëheqë këtë dialog. Javën e kaluar është mbushur kupa. Pra, ka qenë tepër i hapur qëndrimi i Lajçakut në favor të Serbisë. Janë prezantuar sikur të BE-së, dokumente të cilat kanë qenë të Serbisë. Prandaj, për ne është bërë e pamundur që ta vazhdojmë këtë proces, në këtë formë.”, - theksoi Donika Gërvalla Shfarc nga MPJ-a e Kosovës.
 
Këshilltari i Lajçakut: Palët të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit
 
Por, këshilltari i përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Christian Ramet, ka thënë se BE-ja po u kërkon palëve që të fillojnë pa vonesë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura. Këto komente këshilltari i Lajçak, i bëri në Samitin e Paqes dhe Demokracisë, në Prishtinë. 
 
“Marrëveshja ka ndodhur që tre muaj dhe nuk ka ndodhur asnjë progres. Shumë potencial ka humbur në menaxhimin e krizës dhe uljes së tensioneve. Kur ka tensione nuk ka hapësirë për dialog dhe normalizim. Ajo që BE-ja pret është sigurisht implementimi.  BE-ja u kërkon palëve që të fillojnë pa vonesë zbatimin dhe të gjitha marrëveshjet e tjera.”, - u shpreh këshilltari i përfaqësuesit special të BE-së, Christian Ramet.
 
Ndërsa ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë besim të plotë në Bashkimin Evropian sa i përket ndërmjetësimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Por, sipas ambasadorit Hovenier, ShBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë, Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm, Lajçak.
 
SANIJE DURAKU