Ekonomi
Ulja e çmimeve, Zendeli: E dëmshme për bizneset
20.09.2023 15:22
Vendimin e fundit të Qeverisë për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore...

Vendimin e fundit të Qeverisë për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore, prodhuesit e vlerësojnë si të dëmshëm për bizneset. Sipas afaristit Kasam Zendeli, i cili merret me prodhimin e produkteve të qumështit, ky vendim është arbitrar dhe i obligon prodhuesit të shesin me çmime të caktuara duke mos i pasur parasysh çmimet e lëndëve të para. Ai shton se autoritet nevojitet që t’i ndajnë produktet dhe masat nuk duhet të jenë për të gjitha produktet njësoj.
“Duhet të krijojnë politika dhe mekanizma që të marrin masa, të shtohet oferta dhe jo të vendosin vendime arbitrare. Kur i thuhet dikujt se ti nga sot do të shesësh me çmim të para dy muajve, si do t’i thuash kur nuk e din se çfarë faktorësh kanë ndikuar në çmim të atëhershëm dhe çfarë faktorësh ndikojnë sot. Ke prodhime të cilat varet dita-ditës nga hyrja e çmimeve të lëndës së parë dhe ke prodhime të cilat varen nga lënda e parë e stazhuar me muaj si p.sh. të grurit. Si do të vish me një pako masash, si për këtë të qumështit, ashtu edhe për këta të grurit, ku dallojnë natyrat e biznesit?!”, - u shpreh afaristi, Kasam Zendeli.
OEMVP: E dëmshme për bizneset
Të njëjtin mendim e ndajnë edhe nga OEMVP-ja, të cilët për TVM2 thonë se ky vendim nuk është në dobi të kompanive, stimulon ekonominë gri dhe zvogëlon kualitetin e prodhuesve.
“Vendimi për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore për së paku 10% dhe ngrirjen e çmimeve të ultë, e cila po ndërmerret disa herë radhazi ngjashëm, brenda 2 viteve është mjaft i dëmshëm për kompanitë e RMV-së. Ekonomia e tregut të lirë është vënë në pikëpyetje me ndërhyrjet e shumta nga ana e Qeverisë, kështu duke stimuluar ekonominë gri ndërkaq, synimet e vendit tonë janë eliminimi i saj, por edhe i nxitjes së konkurrencës së lirë. Gjatë uljes së çmimeve të këtyre produkteve, rrezikohet edhe cilësia e produkteve nga vet prodhuesit, të cilët do të duhet të punojnë me humbje.”, - thuhet në kumtesën e OEMVP-së.
LSDM: Ulen shpenzimet dhe inflacioni
Ndërkohë sodialdemokratët thonë se me këto masa po mbrojnë standardin e qytetarëve.
“Masa të tilla, përveçse do të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e shpenzimeve ditore të qytetarëve për ushqim, do të ndikojnë edhe në uljen e inflacionit.”, - theksoi Daniela Nikolova nga LSDM.
Ndryshe autoritetet përkatëse paralajmërojnë nga java e ardhshme uljen edhe për 10% të pijeve alkoolike dhe jo alkoolike.
GAZMEND KURTISHI
