Maqedoni

Ligji për amnisti, ndryshimet ngecin, në shqyrtim me institucionet, VMRO: Do të amnistohen persona të afërt me pushtetin

20.09.2023 16:18

Propozim-ligji për amnisti po shënon ngecje dhe i njëjti po shqyrtohet me institucionet kompetente....

Propozim-ligji për amnisti po shënon ngecje dhe i njëjti po shqyrtohet me institucionet kompetente. Jozyrtarisht mësohet se ekzistojnë pakënaqësi nga Ministria e Drejtësisë për një vendim të tillë të Qeverisë dhe ende nuk dihet se sa kohë do të nevojitet që i njëjti të rikthehet në Qeveri dhe më pas në Kuvend. Nga opozitarja VMRO – DPMNE, thonë se ndryshimet e reja ligjore parashikojnë faljen e personave të afërt me pushtetin për arritjen e pikëve politike.
 
“Me këtë aksion, LSDM-ja dhe BDI-ja kanë për qëllim që të amnistojnë dy ish-kryeministra dhe nga ana tjetër ndryshojnë ligje gjyqësore, që do t’u jepte beneficione dhe mbrojtje funksionarëve aktual të LSDM-së dhe BDI-së. Negociatorët e përmendur të amnistisë nuk do të ndalojnë këtu. Për momentin bisedojnë për ligj të ri për amnisti me të cilin do të shpëtonin nga burgu persona të afërt me pushtetin, por kanë kundërshtime se cilat pjesë t’i përfshijnë në ligjin e ardhshëm për amnisti.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski. 
 
Nga Ministria e Drejtësisë, nisur nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, pohojnë se synimet e ligjit për amnisti janë ulja e numrit të lartë të të burgosurve nëpër burgje dhe mohojnë që ministri Lloga të ketë dorëzuar dorëheqje, ashtu siç ishte përfolur. Edhe nga Qeveria mohojnë të ketë arritur dorëheqje deri tek ata nga ministri Lloga. Ligji për amnisti parashikon faljen e 250 personave për vepra të lehta penale, lirim të plotë të të burgosurve të dënuar deri në gjashtë muaj burgim, ndërkaq 30% e të burgosurve të mbetur do të marrin ulje të dënimit. Ndërkohë që falje nuk do të ketë për veprat e rënda kundër shtetit, vrasjet dhe burgim të përhershëm.
 
MERAL ISMAILI