Maqedoni
Në kuadër të sesionit të 78-të në APKB, delegacioni shtetëror, takime dypalëshe me të huaj
20.09.2023 16:40
Në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara...

Në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, delegacioni shtetëror ka shfrytëzuar Nju Jorkun për takime dypalëshe me diplomatë dhe zyrtarë ndërkombëtar.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, ka marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Zhozef Borrell. Në takim është potencuar realizimi urgjent i vendimeve strategjike, në raport me politikën e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq, sonte vonë, sipas orës tonë lokale, shefi i shtetit Pendarovski do të mbajë fjalim në Këshillin e Sigurisë me temë mbi ruajtjen e qëllimeve dhe principeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përmes multilaterizmit efektiv dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Ukrainë. Në seancë është paralajmëruar pjesëmarrja e presidentit amerikan Biden dhe presidentit të Ukrainës, Zelensky, njoftojnë nga presidenca.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, ka takuar diplomatin e lartë amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar. Siç njoftojnë nga Ministria e Jashtme, në qendër të bisedës kanë qenë zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, si dhe nevoja e përshpejtimit të procesit eurointegrues të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu është diskutuar edhe për avancimin e raporteve mes ShBA-së dhe RMV-së në kuadër të Dialogut Strategjik.
Në sesionin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara vazhdon agjenda disaditore, ku përfaqësues të vendeve anëtare të OKB-së po diskutojnë tema të ndryshme që tangojnë botën, si: ndryshimet klimatike, luftërat, fatkeqësitë natyrore, pasojat socio-ekonomike nga pandemia, si dhe për kërcënimet tjera ekzistenciale.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
