Botë

Rama: Nevojat humanitare janë shumë më tepër

20.09.2023 17:46

Në vigjilje të takimit të këshillit të OKB-së me presidencën shqiptare, kryeministri Edi Rama u shpreh optimist....

“Ne nuk jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi Shqipëria. Kështu që, edhe pse jam shumë i gjatë, jemi shumë të vegjël për të imponuar ndonjë gjë apo për të udhëzuar botën drejt diçkaje.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Në vigjilje të takimit të këshillit të OKB-së me presidencën shqiptare, kryeministri Edi Rama u shpreh optimist mbi atë që Shqipëria mund të bëjë në mobilizimin e vendeve anëtare për mbledhjen e fondeve të nevojshme për të përballuar krizat humanitare.
 
“Nevojat në nivel humanitar janë shumë më tepër sesa 55 miliardë këtë vit dhe ajo çfarë është mbledhur është më pak se 11 miliardë. Hendeku, pra është shumë i madh dhe nevoja për bashkërendim është e jashtëzakonshme.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Në takimin vjetor të “Iniciativës globale, Klinton”, Rama përmendi risinë e mundësisë për bashkëpunim mes sektorit publik e privat për të krijuar një aleancë humanitare, duke dhënë edhe shembuj konkretë.
 
“Besojeni apo jo, për herë të parë në historinë e Këshillit të Sigurimit, u ngrit nga ne çështja e bashkërendimit dhe bashkëpunimit të mundshëm në një mënyrë më sistemore midis sektorit privat dhe sektorit publik, për të ndërtuar një partneritet dhe aleancë humanitare. Çdokush mund të sjellë jo vetëm paratë, donacionet, por edhe njohuritë, sepse Google mund të kontribuojë shumë, sa për t’ju dhënë një shembull me aspektin teknologjik. Dikush tjetër mund të kontribuojë shumë në aspektin e shpërndarjes dhe kështu me radhë.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Rama e ka të qartë se ky pozicion i rëndësishëm që mori Shqipëria në Këshillin e Sigurimit i atribuohet mikpritjes së afganëve, për të cilët i ishte kërkuar ndihmë nga vetë senatorja Klinton. Sipas tij, Shqipëria do të drejtojë një nga seancat më të rëndësishme të dekadës së fundit. Në thelb të takimit do të jetë çështja e Ukrainës dhe pasojat globale të kësaj lufte, me pjesëmarrjen e presidentit, Volodymyr Zelensky.
 
LULJETA NDOKA