Ekonomi

Analizat ekonomike: stuhia politike rrezikon zhvillimin ekonomik

09.03.2015 17:30

Stuhia politike ka filluar të vë në pikëpyetje zhvillimin e bizneseve të huaja në vend. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderes Kuçi...

Stuhia politike ka filluar të vë në pikëpyetje zhvillimin e bizneseve të huaja në vend. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderes Kuçi, për TVM2 thotë se dy projekte të sektorit të industrisë kanë mbetur pezull, për shkak të mungesës së një klime të shëndoshë politike.
 
Sipas Kuçit, bëhet fjalë për investime të huaja turke dhe franceze, që kapin vlerën prej 10 milion eurosh, ndërsa ishin parashikuar 250 punësime.
 
“Janë vënë në pikëpyetje falë intervenimit që kanë marrë ato në ambasadat e tyre, vlerësimi që kanë marrë. Dhe ky ishte justifikimi se pse bisedimet tona po presin ditë më të mira, por shpresojmë që me kalimin e kësaj stuhie situata të normalizohet dhe mos të vërejmë të paktën këto dukuri”- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Menderes Kuçi.
 
Sipas Kuçit, kjo hapë dilemat mbi pretendimet e guvernatorit Bogov se ekonomia është pika më e fuqishme e shoqërisë në vend. Sipas tij, statistikat zyrtare për një rritje ekonomie, kurs stabil të denarit, stabilitetit makroekonomik dallojnë nga bërja e biznesit në praktikë.
 
Analizat e kreut të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Kuçit, flasin se ndikimet negative të politikës mund të lënë gjurmë edhe në politikbërjen e qeverisë në dëm të qytetarëve.
 
“Padyshim se kjo do të ndikojë ndoshta edhe në projeksionet e qeverisë në aspektin edhe të buxhetit, por edhe të rritjes së GDP-së, që do të jetë prapë një faturë që duhet ta paguajnë qytetarët e këtij vendi pa marrë parasysh garniturat politike”- tha kryetari i OEMVP-së, Menderes Kuçi.
 
Për ekspertët e ekonomisë mbetet jashtë çdo logjike ekonomike pretendimet se Maqedonia do të ketë inflacion pozitiv deri në fund të vitit.
 
Hap i gabuar thuhet të jetë edhe kthimi i borxheve para kohe ndaj FMN-së, duke marrë kredi tjetër nga i njëjti institucion. Për Menderes Kuçin kjo është vetëm një propagandë mbi ekonominë dhe se koha do të dëshmojë pasojat e këtyre veprimeve.
 
MERAL ISMAILI