ShBA, Osmani takoi presidentin amerikan, Biden

21.09.2023 16:01

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani....

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Osmani është pritur edhe nga presidenti amerikan, Joe Biden. 

“Aleanca e Lirisë! Një Aleancë e përhershme!”, shkroi Osmani në rrjetet sociale, duke publikuar fotografinë ku shihet duke shtrënguar duart me presidentin amerikan, Biden.

Escobar i del në mbrojtje ndërmjetësit të BE-së, Lajçak

Ndërkohë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka mbrojtur ndërmjetësin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pasi për këtë të fundit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është angazhuar në një skenar të koordinuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kundër Kosovës, gjatë takimit të fundit të nivelit të lartë në Bruksel.

Escobar tha se Lajçak gëzon besimin e BE-së dhe ShBA-së.

“Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga Qeveria e Kosovës.”.

Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka përsëritur kërkesën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Por, ai ka thënë se ajo se çka dhe si duhet të bëhet, mbetet të diskutohet në dialog. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)