Maqedoni
Zhvillimet brenda VMRO – DPMNE-së, Mickoski: Nuk udhëhiqemi nga Gruevski
21.09.2023 16:22
Kryetari i VMRO-DPMNE-së përgënjeshtron pretendimet e pushtetit se partia e tij është e dirigjuar nga ish-kryetari në arrati...

Kryetari i VMRO-DPMNE-së përgënjeshtron pretendimet e pushtetit se partia e tij është e dirigjuar nga ish-kryetari në arrati, Nikolla Gruevski, sa i takon ndryshimeve kushtetuese. Sipas Mickoskit, kjo është vetëm propagandë e LSDM-së, pasi që VMRO-ja udhëhiqet nga kryesia e partisë, struktura, anëtarët dhe aktivistët e saj. Ai mohon të ketë pasur takime sekrete për fjalën e Gruevskit dhe thotë se struktura parlamentare e VMRO-së është e unifikuar dhe s’do të votojë ndryshimet kushtetuese e që në opinion cilësohet si biletë kthyese për Gruevskin në Shkup.
“Për atë që po qarkullon në media se ekziston lidhje midis Ahmetit, pjesë të strukturave të LSDM-së dhe Nikolla Gruevskit për sigurimin e deputetëve, absolutisht e dënoj, e hedh poshtë dhe jam i neveritur nga e gjithë kjo, andaj them se ky është momenti ku duhet të zgjedhim ose do të jemi peng i kësaj tresheje dhe të fundosemi në krim dhe korrupsion dhe tradhti kombëtare ose do të zgjedhim ardhmëri për Maqedoninë.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Kuzeska: Mickoski mos të përfshijë LSDM-në
Nga LSDM ftojnë Mickoskin që të mos përfshijë LSDM-në në përçarjet e brendshme partiake dhe ta thotë të vërtetën për amnistinë e Gruevskit.
“Mickoski i dëshpëruar aspak mos ta përfshijë LSDM-në në qërimin e llogarive të brendshme të partisë dhe vetë të zgjidh mosmarrëveshjet. Ndërkohë, opinioni pret përgjigje nga Mickoski për marrëveshjet e tij me Gruevskin, se me këtë a po fsheh kërkesat për amnesti të bashkëpartiakëve të tij pas pakënaqësive brenda partisë.”, - theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Sipas socialdemokratëve, Mickoski është kopje e zbehtë e Gruevskit, sikurse edhe politikat e tij dhe ka struktura brenda VMRO-së, të cilët janë të pakënaqur nga Mickoski duke ndjekur urdhrat e Gruevskit. Pushteti ripërsërit se nuk është pjesë e negociatave për falje të Gruevskit dhe mohojnë ta bëjnë një gjë të tillë në të ardhmen.
MERAL ISMAILI
