Maqedoni
Biblioteka e Tetovës dhe Ministria e Kulturës, përplasen për hapësirat ekzistuese të bibliotekës
21.09.2023 17:07
Vazhdon përplasja ndërmjet Ministrisë se Kulturës dhe Bibliotekës së Tetovës...

Vazhdon përplasja ndërmjet Ministrisë se Kulturës dhe Bibliotekës së Tetovës për hapësirat ekzistuese të Bibliotekës, të cilat duhet t’i kalojnë zyrës së BE-së. Nga biblioteka e Tetovës thonë se hapësirat ku duhen të transferohen, nuk i plotësojnë as kushtet minimale, të njëjtat kërkojnë investime dhe renovime të hapësirave. Sipas tyre, javën që lamë pas ka pasur përfaqësues nga Ministria e Kulturës, i kanë parë hapësirat dhe u kanë premtuar për rregullimin e tyre.
“Kanë inspektuar pjesët se ku duhet të transferoheni, i panë hapësirat dhe atë ditë ramë ujdi, që këto hapësira ku duhet transferuar le të rinovohen, të bëhen të përshtatshme për bibliotekën. Ministria e mori përsipër që këto pjesë ku duhet kalojmë të rinovohen, të jenë të shfrytëzueshme për bibliotekën, plus, veç kësaj hapësire do të kemi edhe hapësira shtesë për ato që i kemi kërkuar tërë kohën.”, - theksoi Mahi Murtezani (Biblioteka e Tetovës).
Ndërsa, nga Ministria e Kulturës kanë theksuar se do të investojnë në hapësirat e reja dhe akuzon drejtoreshën Rezarta Ismaili, që e njëjta nuk e nënshkruan vendimin dhe po bënë pazare politike.
“Ajo që nuk e arsyetoj është manipulimi me drejtoreshën, gjoja se i bëhet shtypje dhe se të punësuarit nuk duan transferimin, por, përkundrazi, ekipi i formuar që në fillim, ishte në vendngjarje dhe bashkëpunon me të punësuarit në bibliotekë. Unë nuk do të lejoj të dëmtohet dhe të punohet pa ndërgjegje, me asnjë objekt kulture të udhëhiqet keq, sepse drejtoresha nuk ishte aty për bisedë dhe ajo që u rregullua nga ana e saj me të drejtën e nënshkrimit, shkaku se ishte në pushim mjekësor dhe kur tentonim të biem në kontakt me drejtoreshën, ajo nuk përgjigjej. Mua më vjen shumë keq që ende ka njerëz që edhe këto institucione i shfrytëzojnë për përplasje politike.”, - u shpreh ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska- Stojçevska.
Ndërkaq drejtoresha e bibliotekës së Tetovës, Rezarta Ismaili, është në pushim mjekësor, por tha se nuk është pengesë e saj që biblioteka e Tetovës të zhvendoset tek objekti tjetër, por se zhvendosja të bëhet në kushte të mira dhe jo të dëmtojë të punësuarit dhe bibliotekën e Tetovës, që edhe ashtu është duke punuar me kushte tejet të vështira.
VISAR SADIKU
