Botë

Mitrovicë, dikush hodhi granatë dore në një shtëpi, Sveçla: Shenjë revolte për arrestimin e 3 serbëve

22.09.2023 12:21

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se hedhja e granatës ushtarake të dorës mbrëmë në veri të vendit..

Në Mitrovicë, në lagjen e boshnjakëve, dikush ka hedhur një granatë dore në një shtëpi. Fatmirësisht nuk janë raportuar të lënduar, por vetëm dëme materiale. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, pretendoi se shpërthimi mbrëmjen e 21 shtatorit, ishte në shenjë revolte për arrestimin e tre serbëve, nën dyshime për krime lufte.

“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund, ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë.”, tha Sveçla.
 
Në raportin ditor të Policisë së Kosovës thuhet se shpërthimi i një granate dore është raportuar në orën 22:40 dhe “përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar”.
 
Tre serbë u arrestuan më 20 shtator në veri të Kosovës, nën dyshime për krime lufte. “Ata dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës”, tha Sveçla.