Kulturë
Teatri shqiptar në Shkup, vihet në skenë premiera e shfaqjes “ADN”
22.09.2023 14:33
Teatri Shqiptar në Shkup nga repertori i tij prezantoi premierën e shfaqjes “ADN”, e cila preku bullizmin...

Teatri Shqiptar në Shkup nga repertori i tij prezantoi premierën e shfaqjes “ADN”, e cila preku bullizmin, si një pasqyrë e realitetit global, por edhe lokal. Shfaqja u realizua në regji të regjisorit të mirënjohur, Fatos Berisha, i cili është i njohur për prekjen e temave sociale në formë të komedisë dhe aktualitetit. Berisha këtë temë e ka trajtuar në formën që e ka trajtuar edhe shkrimtari britanik Denis Kelli. Regjisori Berisha shpreson që moshat më të reja të jenë audiencë që do të vizitojë këtë shfaqje pasi flet për ta, për problemet dhe hallet e tyre.
“Tema ka të bëjë me bullizmin që përpara e kemi quajtur ngacmim, e që është fenomen shoqëror që përpara ka qenë i futur nën tapet, por pasojat e atij bullizmi pastaj vijnë si një bombë me sahat. Kjo me një shoqëri që e pamë nga këta nxënës, djem e vajza të reja janë pasqyrim i realitetit global, por edhe lokal i ynë dhe kjo besoj që ia vlen ta trajtojmë në mënyrën se si e ka trajtuar shkrimtari.”, - deklaroi regjisori, Fatos Berisha.
Në këtë shfaqje përshkruhen karaktere të ndryshme të turmës, e cila shoqërohet nga ata që duan, por edhe s’duan të jenë pjesë e saj, mirëpo dashtë e pa dashtë bëhen pjesë e saj. Rolin e Timit të rrezikshëm e interpretoi aktori Visar Etemi, i cili thotë se me ndihmën e regjisorit dhe eksperiencës, por edhe me shembuj të ndryshëm, arriti që ta realizojë këtë rol.
“Kur ta kesh ekipin e mirë edhe për ta bërë karakterin e rolit tënd e ke shumë më lehtë, kemi pasur edhe regjisorin Fatos Berisha, i cili ka një bagazh goxha të madh në këtë sferë dhe e kemi pasur shumë më të lehtë me shembuj të ndryshëm edhe atë profesion e kemi, kështu që ia arritëm që ta bëjmë këtë rol që e pata sonte.”, - theksoi aktori, Visar Etemi.
Ndërsa në rolin e të bullizuarit, Adamit, aktori Rrahim Ramadani shprehet se ka qenë një personazh, pra rol për t’u realizuar shumë sfidues.
“Në fakt me regjisorin kemi pasur bisedime për Adamin se si do të duket dhe si do ta shfaqim, sepse sipas Fatosit që tha ishte një vijë shumë e hollë mos të nxjerrim si të çmendur prej në fillim.”, - u shpreh aktori, Rrahim Ramadani (Adami).
Shfaqja do të vazhdojë të reprizohet në Teatrin Shqiptar në Shkup.
ARDITA RAMADANI
