Kodi Penal, IPPAXh: Antievropian, nuk lufton korrupsionin

22.09.2023 14:50

Ndryshimet e fundit në Kodit Penal...

Ndryshimet e fundit në Kodit Penal me të cilin janë ulur dënimet e parapara për keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar, si dhe për bashkëveprimin kriminal janë antievropiane dhe të dëmshme në luftën kundër korrupsionit.

Kështu thuhet në raportin e ri të Institutit për Politika Publike, “Arbën Xhaferi”, sipas të cilit, këto ndryshime sjellin rrezikun nga pandëshkueshmëria, duke pamundësuar ndjekjen penale ose vuajtjen e dënimit.

Vlerësojnë se skandali më i madh i këtyre ndryshimeve qëndron në abuzimin e procedurës së flamurit evropian.

Mesatarja evropiane kundër veprave korruptive është 11-13 vjet, ndërsa në RMV tani më është 3-5 vjet.

Drejtori i IPP-së “Arbën Xhaferi”, Arben Fetai, thotë se " Herët apo vonë, nenet 353, 353-v dhe 394 do të duhet të ndryshohen sërish për të garantuar përputhjen e Kodit Penal të vendit me direktivën evropiane kundër korrupsionit, duke rritur dënimet dhe afatet e parashkrimit për krimet në fjalë. Por, dëmi tanimë i bërë, në mënyrë krejt ironike përmes pazareve politike në emër të integrimit evropian, mund të jetë i pariparueshëm, sepse lufta kundër korrupsionit është shndërruar në farsë.".

Alternativa: Kush ka radhën t’i shpëtojë dënimit?

Nga partia politike Alternativa, pyesin se edhe sa persona, ish-funksionarë të korruptuar e të përfshirë në krim do t’i shpëtojnë dënimit, nëse në radhë janë Gruevski,Mijallkov apo Jankullovska.

"Sidoqoftë, e rëndësishme është që qytetarët tashmë janë bindur se çka qenka më evropiane dhe kush po vepron vërtet në interes të demokracisë dhe vlerave evropiane. Çfarë është më evropiane, të kërkosh të dënohet korrupsioni dhe ta luftosh me çdo mjet keqpërdorimin e pushtetit dhe vjetrimin e lëndëve korruptive apo ta ndryshosh Kodin Penal duke i liruar nga padia qindra të akuzuar për lëndë të tilla dhe t’i motivosh kriminelët e tjerë të veprojnë akte të tilla korruptive?”.

 Nga kjo parti përkujtojnë se edhe më herët përmes amendamenteve kushtetuese kanë kërkuar mosvjetrimin e lëndëve të korrupsionit politik. (Florije Kamberi, TVM2)