Ulja e çmimeve në markete po respektohet, në tregjet e gjelbra nuk vërehet ulje
Pas vendimit të Qeverisë....

Pas vendimit të Qeverisë për uljen e çmimeve për 10 për qind, kjo masë po zbatohet nëpër markete, por jo edhe në tregjet e vendit, pasi tregtarët thonë se çmimet e shitjes varen nga çmimet e furnizimit.
“Po, po zbatohen masat, kemi zbritjen e çmimeve të bukës, kosit, qumështit dhe diçka tjetër. Po besoj që prej kur është zbritja, dy ditë punë ka pasur më tepër.”, - u shpreh një shitës në market.
Qytetarët e mirëpresin uljen e çmimeve nëpër markete.
“Po, ka lirime të qumështit, mishrave të ndryshme, në përgjithësi mirë, të mjaftueshme nuk janë, duhet ende më tepër se në qoftë se kthehemi një vit më herët kemi 50-60 për qind më shtrenjtë, mendoj se duhet të vazhdojnë këto masa të paktën një vit.”, - tha një qytetar.
Qytetarët e anketuar në tregun e Bit Pazarit shprehen të pakënaqur me çmimet aktuale, thonë se duan të përgatiten për turshitë, por vështirë do ta kenë.
“Masa e përgjithshme s’besoj se mund t’i përballojë këto çmime, nuk flas për veten time ose për individë të tjerë, flas për masën e përgjithshme, është e klasës së ulët, e cila mezi se e pret rrogën.”, - tha një qytetar.
“Tani duhet të përgatitemi për turshitë dhe ka çmime që janë të larta e vështirë e kemi. Çmimet e disa produkteve janë ulur.”, - theksoi një qytetar.
“Unë pensionist jam dhe rrogat janë të ulëta e çmimet rriten, e kemi humbur jetën me këtë shtet. Për vete i kanë rritur rrogat.”, - tha një qytetar tjetër.
Shitësit nga ana tjetër ankohen se nuk ka shitje të mjaftueshme pasi që edhe ata produktet i blejnë me çmim të lartë. Qeveria duhet të ndërmarrë masa, të ulë edhe çmimin e derivateve të naftës, sepse kjo është drejtpërdrejt e lidhur edhe me çmimet e produkteve.
“Buxheti i popullit është shumë i ulët, por kanë dëshirë të bëjnë turshitë. Në krahasim me vitet e tjera jemi katastrofë.”, - tha një shitës.
“Qeveria duhet ta ulë çmimin e naftës, është 100 denarë e si mund të ulet çmimi i domates dhe perimeve tjera kur harxhimet janë të mëdha, duhet të mendojë Qeveria edhe për bujqit.”, - theksoi një shitës tjetër.
Përveç uljes së çmimeve të produkteve, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, paralajmëroi se javën e ardhshme do të ketë edhe ulje të pijeve prej së paku 10 për qind. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
