Maqedoni
Sesioni i 78-të në APKB, Pendarovski ndan shqetësimet me asambleistët
22.09.2023 17:22
Maqedonia e Veriut që nga pavarësia ka funksionuar mbi respektimin e principeve të paqes...

Maqedonia e Veriut që nga pavarësia ka funksionuar mbi respektimin e principeve të paqes, bashkëpunimit rajonal, ruajtjen e multietnicitetit dhe tani po angazhohet në zgjidhjen e kontesteve bilaterale dhe me aspiratat drejt BE-së. Kështu ka deklaruar shefi i shtetit, Stevo Pendarovski, në fjalimin e tij në sesioni e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“E kemi pranuar kompromisin si mënyrë e zgjidhjes së problemeve jo si shprehje të dobësisë, por si shprehje e vetëbesimit, se jemi të aftë t’i mbrojmë interesat vetjake pa dëmtuar interesat e të tjerëve. Mbetemi mes promotorëve dhe bashkëpunuesve më të mëdhenj në Evropën Juglindore, duke punuar njëkohësisht edhe në plotësimin e kritereve për anëtarësim në BE, jo më vonë se në vitin 2030. Tek ne nuk ekziston dilema se përforcimi i institucioneve demokratike për përfaqësim të barabartë, është mundësia e vetme për më tepër kohezion në një shoqëri multietnike.”, - theksoi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
Pendarovski ka folur edhe për adresimin e ndryshimeve klimatike, kërcënimeve, turbulencave gjeopolitike, terrorizmin dhe migrimin. Këto sfida kërkojnë përgjigje efikase, tha ai, e që arrihet nëpërmjet multilaterizmit dhe ndryshimit të sistemit të OKB-së, me respektimin e përfaqësive dhe inkluzivitetit për të reflektuar ndaj realitetit botëror.
“Ngrohja globale, siç thotë sekretari i përgjithshëm, tashmë po kalon në vlim global. Padyshim, bota është drejtuar para sfidës ekzistenciale, ndërsa e vetmja përgjigje e mundshme e suksesshme është vetëm nëse bëhemi bashkë rreth një platforme.”, - u shpreh kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
Pendarovski është ndalur edhe në luftën në Ukrainë. Apelon për instalim të diplomacisë dhe dialogut që të ndalet konflikti atje dhe të mos sulmohet një vend anëtarë i organizatës universale nga anëtari tjetër, i përhershëm të Këshillit të Sigurimit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
