Norvegji, policia arreston ish komandantin e Wagner
Policia norvegjeze ka arrestuar një ish-komandant të grupit mercenar Wagner...

Policia norvegjeze ka arrestuar një ish-komandant të grupit mercenar Wagner me dyshimin se tentoi të kalonte kufirin ilegalisht për t’u kthyer në Rusi pasi ai kërkoi azil në Norvegji në fillim të këtij viti.
Andrei Medvedev, i cili u largua nga Rusia në janar përmes kufirit Arktik me Norvegjinë, kishte përshkruar vrapimin ndërsa rojet kufitare ruse po qëllonin mbi të. Ai foli edhe për pjesëmarrjen e tij në luftën në Ukrainë, si anëtar i Wagner. Në një deklaratë, policia tha se një burrë rreth të tridhjetave u arrestua për përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin në Rusi, pa e përmendur emrin e tij.
Kalimi i kufirit në Rusi lejohet vetëm në pika të caktuara. Medvedev kërkoi azil në Norvegji, duke pretenduar se kishte frikë për jetën e tij pasi ishte dëshmitar i keqtrajtimit dhe ekzekutimit të të burgosurve rusë të çuar në vijën e frontit në Ukrainë.
Arratisja e tij në janar bëri bujë në mbarë botën si një shembull i rrallë i dikujt që dezertoi në një vend perëndimor duke pretenduar se kishte luftuar për Rusinë si mercenar. Por në maj, në një video të postuar në YouTube, ai tha se donte të kthehej në Rusi, edhe nëse jeta e tij ishte në rrezik.
Ai pretendoi se ndihej “si një djalë i vogël” i kapur në një “lojë të madhe” në të cilën nuk donte më të ishte pjesë. Një muaj më parë ai u dënua në Norvegji për përfshirje në një zënkë në lokal dhe posedim të një pistolete.
