Botë

Osmani, Serbia po sfidon integritetin teritorial të Kosovës

24.09.2023 16:39

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndërprerë vizitën zyrtare në New York...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndërprerë vizitën zyrtare në New York, për shkak të sulmit të armatosur ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Leposaviqit. Ndërsa në reagimin e sajë presidentja Osmani, ka thënë se: “Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës. Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin. Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook. Presidentja pret që aleatët ndërkombëtarë ta mbështesin Kosovën në përpjekjet për ta vendosur rendin dhe ligjin dhe për ta ruajtur sovranitetin në çdo pjesë të territorit. Osmani ka thënë se autorët e sulmit do të sillen para drejtësisë. “Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur nga Serbia po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë. Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”, ka shkruar Osmani.