Botë
Shqipëri, krerët shtetërorë dënojnë sulmin në Kosovë
24.09.2023 17:15
Zyrtarisht Shqipëria rreshtohet krah Kosovë në këtë situatë tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë...

Zyrtarisht Shqipëria rreshtohet krah Kosovë në këtë situatë tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë. Kreu i shtetit Presidenti Bajram Begaj dënoi sulmin ndaj policisë dhe shtetit të Kosovës në veri duke u kërkuar ndërkombëtarëve të marrin në dorë situatën e rënduar.
“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët”, u shpreh presidenti i Republikës së Shqipërisë, Citim Bajram Begaj.
Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës.
Vrasja e një njeriu me uniformë në krye të detyrës është një këmbanë alarmi për rrezikun në vazhdim, thotë kryeministri Edi Rama. Ai u kërkon partnerëve thirrjen e konferencës së jashtëzakonshme të paqes.
“Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”, theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani ngushëlloi familjen e efektivit të ndjerë duke i ofruar Kosovës mbështetje.
“Akti i sotëm kriminal është kërcënim për sigurinë e stabilitetin e rajonit tonë dhe autorët duhet të përballen sa më parë me drejtësinë. Shqipëria është në krah të Kosovës në këto momente të vështira që kërkojnë gjakftohtësi, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e partnerët”, theksoi ministri i jashtëm Citim Igli.
Reagime pati edhe nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryestari I partisë Demokratike Lulzim Basha por edhe kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj, të cilët u bëjnë thirrje autoriteteve të Beogradit të distancohen nga aktet destabilizuese.
LULJETA NDOKA
