Botë
KFOR, i gatshëm të ndërhyjë nëse i kërkohet
24.09.2023 17:33
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë fillestare...

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë fillestare për menaxhim të incidentit në veri dhe e ka dënuar ashpër sulmin ndaj pjesëtarëve të këtij institucioni.
“KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë prej afër situatën në Banjskë, dhe trupat e KFOR-it janë prezentë në këtë zonë, të gatshëm të reagojnë, nëse kërkohet. Komandanti i KFOR-ut është në kontakt direkt me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë dhe institucionet e Kosovës, dhe është duke punuar për ta gjetur një zgjidhje”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.
SHBA dhe BE, dënojnë sulmin ndaj policisë së Kosovës
Ndërkohë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i ka dënuar ashpër sulmet “e dhunshme dhe të orkestruara“ ndaj Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, ka thënë ambasadori Hovenier.
Edhe Bashkimi Evropian e ka dënuar ashpër sulmin nga një “bandë e armatosur” kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri.
“Të gjitha faktet për sulmin duhet të vërtetohen. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, tha Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri dhe ka thënë se dhuna “e çfarëdo forme është e papranueshme”.
“Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër policisë së Kosovës mbrëmë. Dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme. Zemra ime është me viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë”, ka shkruar Lajçak në rrjetet sociale.
VLORA LATIFI TOPOJANI
