Botë
Vuçiq: Nuk e arsyetoj vrasjen e policit, janë vrarë tre serbë me snajper
24.09.2023 19:03
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë fajtorë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për ngjarjet e fundit në veri....

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë fajtorë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për ngjarjet e fundit në veri.
Vuçiq, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat në Serbi, ka thënë se nuk e arsyeton vrasjen e policit kosovar, mirëpo, sipas tij është e pafalshme vrasja e tre serbëve në Kosovë, të cilët janë “të ngopur” nga veprimet e Kurtit.
“Në të vërtetë do të flasim vetëm për atë që ka ndodhur, pastaj do ta bëjmë vlerësimin e kësaj. Mbrëmë rreth orës 2:00 një grup i serbëve nga Kosova i kanë vendosur dy kamionë në Banjskë, pastaj vjen Policia e Kosovës që tenton t’i largojë ato barrikada dhe pason konflikti, ku është vrarë një polic dhe një tjetër është plagosur.”. “Tre serbë të Kosovës janë vrarë, dy prej tyre me snajper, raportohet që edhe i katërti ka vdekur.”, tha Vuçiq.
“Ata kanë përdorur snajper dhe kanë sulmuar edhe në shtëpi private”, tha presidenti serb Vuçiq. Madje ai ka kritikuar edhe faktorin ndërkombëtar. “Kur Serbia ka shkuar në Drenicë për t’u marrë me ata që donin të shkëputeshin nga shteti i njohur ndërkombëtarisht, të huajt thonin janë luftëtarët për liri. Si duket vetëm serbët janë terroristë.”, tha Vuçiq.
I pyetur nga gazetarët se nga i siguruan serbët lokalë uniformat me të cilat shihen në fotografi, Vuçiq tha se ato nuk janë uniforma të ushtrisë serbe apo të policisë serbe. Sipas tij, uniformat blihen kudo në treg.
Edhe Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Vlladimir Orlliç, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përgjegjës për çfarëdolloj dhune, dhe se është ngutur për t’i fajësuar serbët për zhvillimet në Banjskë të Zveçanit.
