Botë

Studimi: 7% e gjermanëve duan diktaturën

25.09.2023 12:40

Një në dymbëdhjetë njerëz në Gjermani kanë ideologji të ekstremit të djathtë.....

Një në dymbëdhjetë njerëz në Gjermani kanë ideologji të ekstremit të djathtë.
 
Në këtë përfundim kanë arritur një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Bielefeldit pas realizimit të një studimi në emër të fondacionit politik “Friedrich Ebert”, i afërt me Partinë Socialdemokrate.
 
Në kuadër të sondazhit, që është kryer çdo dy vjet që nga viti 2002, u anketuan rreth 2000 njerëz të moshës nga 18 deri në 90 vjeç në janar dhe shkurt 2023.
 
Nga kryerja e sondazhit, rezultoi se 8% e gjermanëve kanë orientim të qartë nga e djathta ekstreme. Në studimet e mëparshme përqindja varionte ndërmjet 2% dhe 3%.
 
Me interes të veçantë është fakti se midis 5% dhe 7% në të gjitha grupmoshat mbështesin diktaturën, me vetëm një parti të fortë dhe një lider për Gjermaninë.
 
Francesca Schroeter, kreu i projektit në Fondacionin Friedrich Ebert, shpjegon se simpatia në rritje për autoritarizmin është për shkak të krizave të mëdha të fundit si pandemia, pushtimi i Ukrainës, kriza energjetike dhe rritja e çmimeve.
 
Studimi titullohet “Klasa e mesme e distancuar” dhe drejtohet nga psikologu social Andreas Tsik. Ai thekson se qëndrimet e ekstremit të djathtë janë më të përhapura në shtresat e ulëta ekonomike sociale, pasi krizat i godasin më drejtpërdrejt.
 
Ky qëndrim shoqërohet edhe me rënie të besimit ndaj institucioneve shtetërore dhe funksionimit të Republikës, edhe pse një shumicë e qartë ende e mbështet këtë formë qeverisjeje.
 
Megjithatë, 38% kanë qëndrime konspirative, 33% populiste dhe 29% qëndrime etno-autoritare-revolucionare.