Maqedoni

Tetovë, Gjimnazi “Kiril Pejçinoviq”, protestë për mungesën e librave

25.09.2023 14:24

Mungesa e librave ka bërë që nxënësit e vitit të dytë të Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” të Tetovës të protestojnë para shkollës....

Mungesa e librave ka bërë që nxënësit e vitit të dytë  të Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” të Tetovës të protestojnë para shkollës. Ata shprehen se kanë dalë në protestë pasi që nuk kanë me çfarë të mësojnë, andaj kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të sigurojnë librat ose të njëjtit paralajmëruan se nuk do të zhvillojnë procesin arsimor.
 
“Sot kemi dalë shkaku i librave, sepse ka shumë mungesë të librave në shkollë.”, -theksoi një nxënës.
 
“Po, e kemi lëshuar shkaku i librave, profesorët kërkojnë libra, ndërsa ne s’kemi. Sot nuk kthehen se s’kemi libra, nuk mund të mbajmë orë mësimi.”, - u shpreh një nxënës tjetër.
 
“Ajo për çfarë protestojmë ne është shkaku i mungesës së librave, që e kemi paraqitur si problem, si dhe një pjesë e madhe ka mungesë të librave.”, - u shpreh një nxënës tjetër.
 
“Mua personalisht më mungojnë të gjithë librat. Bashkë me shokët e klasës sime, asnjë nuk kemi.”, - tha një nxënës tjetër.
 
Protesta e nxënësve të gjimnazit të Tetovës nuk i ka pëlqyer drejtoreshës, e cila tha se kjo protestë e nxënësve është e nxitur dhe sipas saj, nuk ka mungesë të madhe të librave në Gjimnazin e Tetovës.
 
“Ne kemi një numër të vogël të librave që mungojnë, por nuk është gjendja aq alarmante sa që të bojkotojnë mësimin. Unë në këtë situatë shoh një instrumentalizim të nxënësve nga instanca të caktuara që duan të bëjnë tollovi. Por, besoj se bashkërisht me profesorët që e duam mësimin edhe prindërit që vërtet i kanë sjellur nxënësit që të mësojnë, do ta amortizojmë këtë rast.”, - theksoi drejtoresha e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, Teuta Llalla.
 
Në Tetovë, në shkollat e mesme dhe fillore mungojnë mbi 20 mijë libra që akoma nuk kanë ardhur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Mungesë me të madhe kanë shkollat profesionale, që sipas tyre mbi 90% e librave mungojnë. Ndërsa nga MASH-i edhe një herë kanë përsëritur, se deri në fund të shtatorit, të gjitha shkollat të mesme e të vendit do të furnizohen me libra.


VISAR SADIKI