Maqedoni

Situata në Kosovë, aktorët politik dënojnë vrasjen e policit

25.09.2023 15:17

Faktori politik në Maqedoni të Veriut reagoi lidhur me ngjarjet në Kosovë....

Faktori politik në Maqedoni të Veriut reagoi lidhur me ngjarjet në Kosovë. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se shpreh mbështetjen e  plotë për institucionet e Kosovës dhe KFOR-it në aksionet e ardhshme për garantimin e paqes dhe stabilitetit  në rajon. Sipas tij, prapa asaj që ndodhi dje në Kosovës, ekziston agjendë e dikujt që dëshiron që këtë rajon ta sheh sërish si rajon të paqetë. 
 
“Japim përkrahje edhe njëherë strukturave të sigurisë së Kosovës, KFOR-it, në të cilat ne marrim pjesë së bashku me EULEX-in dhe, siç tha edhe komisari Varheji, duhet të bëhet menjëherë një hetim për të parë edhe kryerësit e veprës edhe motivet, edhe porositësit e atij akti negativ, i cili ishte bërë në Republikën e Kosovës.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, tha se situata në Kosovë nuk ndikon në vendin tonë. 
 
“Jemi duke i ndjekur nga afër zhvillimet e Kosovës dhe nuk është e thjeshtë për asnjërin nga ne, kur e shohim se në rajon ka ndonjë lloj incidenti, akoma më shumë kur bëhet fjalë për sulm ndaj policisë së një shteti. Megjithatë, ajo që është duke ndodhur aty, sipas informacioneve që i disponojmë dhe i këmbejmë, nuk ndikon në sigurinë e vendit tonë. Këtë e garanton edhe fakti se jemi shtet anëtar i NATO-s.”, - theksoi ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.
 
Sulmin e ka dënuar ashpër edhe kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
 
“Dialogu i hapur dhe transparent, pranimi i realitetit dhe kërkimi i zgjidhjes së pranueshme për të  gjithë është mënyra më e mirë dhe e vetme për arritjen e paqes dhe zhvillimit të përbashkët të shteteve dhe rajonit në përgjithësi. Ballkani tjetër alternativë nuk ka!”, thuhet në reagimin e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. 
 
Për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, sulmi vrastar ndaj shtetit të Kosovës dhe policisë së vendit është sulm ndaj paqes, stabilitetit dhe sigurisë së gjithë rajonit. 
 
“Ky provokim i rëndë është i qëllimshëm me agjendë të paracaktuar, andaj dhe duhet menaxhuar me gjakftohtësi dhe mençuri, për arsye se pasojat mund të janë rajonale mbi paqen dhe stabilitetin.”, thuhet në reagimin e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. 
 
Me reagim edhe kryetari i ASh-së, Arben Taravari, i cili kërkoi edhe ndërrimin e negociatorëve.
 
“Kosova nuk mund të jetë një Ukrainë e dytë, sepse një Ukrainë e dytë përkthehet në Luftën e Tretë Botërore. Që kjo mos të ndodhë duhet ndaluar urgjentisht Serbia në strategjinë e saj pushtuese dhe kriminale!”, ka shkruar Taravari. 
 
Partitë opozitare shqiptare LD-Alternativa dhe Besa me qëndrim se veprimi i djeshëm në Kosovë i terroristëve të mbështetur nga Serbia, është një tregues i qartë se qëllimet dhe politikat e Serbisë janë të njëjta si të Rusisë, e cila për momentin kryen agresion në Ukrainë. “Prandaj faktori ndërkombëtar, ShBA-ja dhe BE-ja, duhet të veprojnë që të mos lejojnë, që në Ballkan të ndodh një Ukrainë e dytë.”. 
 
Ndërkohë të pranishëm në afërsi të zonës ku ndodhi sulmi ishin edhe shtatë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Ministri i jashtëm Osmani njofton se shtetasit e tanë janë të sigurt dhe janë kthyer për në shtëpi të shoqëruar nga policia e Kosovës.
 
“Rrethanat në të cilat u gjendën ishin komplekse, duke qenë se ata ishin të akomoduar në një hotel, në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi me armë ndaj policisë. Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme është njoftuar menjëherë për këtë situatë përmes kanaleve të rregullta dhe kam biseduar personalisht me kolegen time, Donika Gërvalla-Shvarc.”, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. 
 
BELINDA KOKA ADEMI