Tender i dyshimtë në Hematologji, VMRO: Familja Panovski thith 3 milion euro
Shëndetësia në vend se të shpëtojë jetë...

Shëndetësia në vend se të shpëtojë jetë, është shndërruar në burim të tenderëve të dyshimtë, akuzojnë pushtetin nga VMRO – DPMNE-ja. Tender në vlerë prej tre milionë euro janë transferuar brenda familjes, Panovski.
Transferimin e parave ka bërë drejtorja e Klinikës së Hematologjisë, Irina Panovska, në llogari të kompanisë së ilaçeve, “Dr. Panovski”, pronar i së cilës është babai i saj, Zllatko Panovski. Nga VMRO-ja publikojnë dokument për konkurs të dyshimtë.
“Kjo është marrëveshja e firmosur më 1 shtator të vitit 2023 për furnizim me pajisje, të kontraktuar midis Klinikës së Hematologjisë dhe ndërmarrjes “Dr. Panovski”. Nga dokumentacioni mund të vërehen disa gjëra. Fillimisht bëhet fjalë për ofertues të vetëm të ndërmarrjes së babait, përderisa vajza është drejtore, e cila shpall konkurs. Gjithashtu, gjatë dakordimit të marrëveshjes, Klinika e Hematologjisë është përfaqësuar nga nënkryetarja e Këshillit Drejtues, ndërkaq vendimin për ofertë më të mirë e ka marrë drejtorja, e cila ka zgjedhur babain e saj për t’ia ndarë tenderin.”, - deklaroi zëdhënësja e VMRO – DPMNE-së, Marija Miteva.
Sipas VMRO – DPMNE-së, kjo nuk është marrëveshja e parë të cilën pronari i ndërmarrjes “Dr. Panovski” e fiton nga vajza.
VMRO-ja pretendon se edhe marrëveshjet paraprake i janë afruar shifrës 3 milion euro dhe Komisioni Antikorrupsion ka hapur lëndë, por pa zgjidhje konkrete.
Ivanovska: VMRO-ja përpiqet të njollosë klinikën
Ndaj akuzave të tilla ka reaguar drejtoresha e Hematologjisë, Irina Panovska.
“VMRO-DPMNE-ja sërish për arsye partiake po përpiqet të njollosë Klinikën Universitare të Hematologjisë, e cila sipas të gjithë treguesve është një ndër klinikat më të suksesshme. Nuk e kuptoj se si një parti, në vend të argumenteve zgjodhi të ngre panik tek pacientët nëpërmjet degradimit të sërishëm të klinikës. Kjo do t’i dëmtojë në një periudhë të gjatë.”, ka thënë Ivanovska.
Çështja për konflikt të interesave, sipas Ivanovskës ka qenë lëndë e hetimit të Komisionit Antikorrupsion dhe Prokurorisë Publike, që shqyrtoi të gjitha faktet dhe vërtetoi se të gjitha furnizimet në klinikë po zhvillohen sipas ligjeve. (Meral Ismaili, TVM2)
