Botë
Kosovë, situata nën kontroll, aksioni policor vazhdon
25.09.2023 15:59
Pas marrjes në kontroll të fshatit Banjskë të Zveçanit, ku në sulm terrorist mbeti i vrarë një efektiv i policisë dhe një i plagosur...

Pas marrjes në kontroll të fshatit Banjskë të Zveçanit, ku në sulm terrorist mbeti i vrarë një efektiv i policisë dhe një i plagosur, situata në veri të Kosovës është e qetë. Aktualisht po vazhdon hetimi dhe operacioni policor për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës.
Kontrollohen veturat në hyrje të fshatit, ndërkohë që në aksion po marrin pjesë edhe një numër i madh i autoblindave të EULEKS-it dhe KFOR-it. Sipas informacioneve zyrtare, gjashtë pjesëtarë të grupit janë arrestuar, ndërsa më së paku 3 sulmues mbetën të vrarë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë shpalosur të dhëna të reja për operacionin e djeshëm të Policisë së Kosovës.
Policia e ka sekuestruar 1 veturë të rëndë të blinduar, 24 vetura tjera dhe 2 motorë. Në shifra më të mëdha të armatimit janë eksplozivet, 150 copë eksploziv, dinamit, 23 detonatorë elektrik, karikator, kamera të sigurisë, 3 drone, 6 mitraloza, 29 zola të mbushura, 21 antiplumba, 2 radiolidhje, uniforma ushtarake etj.
Gjatë kontrollit janë gjetur edhe harta dhe plane për organizimin e gjatë të mirëmenduar dhe janë dëshmi se nuk kemi të bëjmë me grupe lokale, por për organizim terrorist të urdhëruar direkt nga Beogradi, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Nuk ka të bëjë asgjë me një organizim të shpejtë dhe të ditëve të fundit. Në këto materiale gjithashtu kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit, që po ashtu është në listën e zezë të ShBA-së, Millan Radojçiq, dokumente që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve zyrtare të institucioneve të Serbisë dhënë Millan Radojçiq dhe ja lista me armët që ai posedon. Ai është nënkryetar i Listës Serbe që e dimë se është ngushtë e bashkërënduar me Aleksandar Vuçiq dhe nuk ndërmerr asnjë hap pa koordinimin e tij. Harta e këtij plani është më e qartë se kurrë.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Pas situatës së shkaktuar në Kosovë ka arritur emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Ai ngjarjen e ndodhur të dielën në veri të Kosovës e ka quajtur sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës.
“Dje pamë një situatë të tmerrshme. E dënojmë fuqishëm këtë sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për familjarët, Policinë e Kosovës dhe të gjithë shtetin. Solidarizohemi me ju dhe qëndrojmë në anën tuaj në këtë situatë të tmerrshme.”, - theksoi emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Një ditë pas sulmit terrorist në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ambasadorin rus në Beograd, Aleksandër Botsan-Kharchenko, ku ndër të tjera shprehu “mirënjohjen” e tij për ambasadorin rus që “dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe”.
“Bisedë e rëndësishme me ambasadorin e Rusisë, Aleksandër Botsan-Kharchenko. Mirënjohës që i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe. E informova Botsan-Kharchenkon për faktin se në Kosovë po kryhet spastrim etnik brutal i organizuar nga Albin Kurti, me mbështetjen e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare.”, shkroi Vuçiqi në rrjetet e tij sociale.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka theksuar se sulmi ndaj Policisë së Kosovës është bërë nga një grup profesionistë, i uniformuar dhe i armatosur rëndë. Duke e quajtur akt terrorist sulmin në fjalë.
Vrasja e policit të Kosovës u dënua ashpër nga i gjithë faktori ndërkombëtar. Ndryshe Kosova sot i dha lamtumirën heroit, Afrim Bunjaku. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e shpalli hero të Kombit, ndërsa në nderim të tij është shpallur ditë zie në të gjithë vendin.
FLORIJE KAMBERI
