Tetovë, reshjet bllokuan rrugët Shipkovicë - Brodec

25.09.2023 16:29

Reshjet intensive të shiut...

Reshjet intensive të shiut mbrëmë pas mesnate në Tetovë bllokuan rrugën Shipkovicë - Brodec, pikë kjo e rrezikshme, pasi që nga vërshimet e vitit 2015-të nuk është pastruar shtrati i përroit. Nga reshjet e mbrëmshme nuk ka shpëtuar edhe Reçica e vogël. Sërish ka pasur prurje të mëdha të rërës dhe të mbeturinave inerte që kanë bllokuar rrugën e UÇK-së. Edhe në këtë pjesë problemi është i kahmotshëm dhe reshjet e shiut shkaktojnë vërshime si në pranverë, po ashtu edhe në vjeshtë.  Banorët thonë se duhet që të intervenohet të pastrohet një kanal që është i mbyllur.

“Pas vërshimeve të vitit 2015, ky kanal është mbyllur dhe është vendosur një gyp brenda. Por, ky gyp nuk mund të grumbullojë tërë sasinë e ujit dhe mbeturinave, prandaj edhe del mbi sipërfaqe duke shkaktuar vërshime. Prandaj, si banorë kërkojmë që ky kanal të jetë në formën e hapur që mos na përsëritet kjo situatë. Besoj se kjo nuk do t`i kushtojë shumë komunës, sepse këtë situatë e kishim edhe gjatë vitit të kaluar.”, - thonë banorë të kësaj lagje.

Memet Jonuzi, nga Komuna e Tetovës, thotë se menjëherë kanë dalë në terren në dy pikat kritike dhe punohet në pastrimin e tërësishëm.

“Ne kemi intervenuar edhe në rrugën Shipkovicë-Brodec, ku e njëjta është liruar për qarkullim dhe bëhet pastrimi i mbetjeve. Po ashtu probleme kemi pasur edhe në rrugën 146 në Reçicë të vogël, ku është zënë gypi dhe është intervenuar dhe uji sërish është vendosur në rrjedhën e tij të zakonshme në kanal. Punohet për pastrimin e mbetjeve të dheut, që rruga të lirohet për qarkullimin e automjeteve.”, - theksoi Memet Jonuzi nga Komuna e Tetovës.

Komuna e Tetovës kërkon nga qytetarët që të mos hedhin mbeturinat e materialeve ndërtimore mbi Reçicë të vogël, pasi me reshje intensive të shiut ato mbeturina të gjitha sillen tek banorët e kësaj pjese.

Komuna kërkon që edhe inspektoratet të jenë më të angazhuara, që mos të lejohet hedhja e mbeturinave dhe të njëjtët të dënohen sipas ligjeve të vendit tonë. (Visar Sadiku, TVM2)