Ulja e çmimeve prej 10%, Kovaçevski: Po jep rezultate

25.09.2023 17:35

Masa për uljen e çmimeve prej 10%....

Masa për uljen e çmimeve prej 10% për 25 produkte bazë ka filluar të japë rezultate. Veç më te disa produkte ka ulje prej 10%, kurse tek disa ulja shkon deri në 40%, vlerëson kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Këto masa, sipas tij ndikojnë në uljen e niveleve të inflacionit.

“Me këtë masë kontribuojmë që edhe përskaj të shtypjeve të inflacionit, së bashku dhe në mënyrë solidare të japim mbështetje qytetarëve tanë. Me një nivel të lartë të dialogut social për tema prioritare do të përgjigjemi në mënyrë adekuate për uljen e inflacionit dhe deri në fund të vitit po përpiqemi që ajo të mos jetë më shumë se 5% në pjesën e produkteve bazë, të cilat qytetarët i përdorin.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Trajkovski: Dënimi për marketet e mbyllura do të jetë 5 ditë

Nga 50 kontrolle të bëra të shtunën, Inspektorati mbylli pesë markete, për shkak të mosuljes së çmimeve. Njeriu numër një i këtij institucioni, Goran Trajkovski, njoftoi se është paraparë që ky dënim të zgjasë pesë ditë.

“Mbyllja është nga 2 deri në 30 ditë. Nuk është qëllimi ynë që të mbyllim të gjitha tregjet në vend, por synimi është që ata të afrohen seriozisht dhe të mos na lënë hapësirë. Të rregullojnë punët e tyre dhe të respektojnë vendimet. Nëse shohim përsëri praktika të padrejta tregtare, do të mbyllim edhe zinxhirë të tjerë tregtarë. Mjafton një mbyllje pesëditore për këto kompani.”, - theksoi drejtori i Inspektoratit të tregut, Goran Trajkovski.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, nuk nguroi edhe t’i përmend emrat e marketeve të mbyllura. Në stilin e “redaktorit”, Bekteshi u rekomandoi edhe mediave që të përmendin emrat e marketeve që nuk kanë respektuar masat e Qeverisë.

“Unë nuk e kam problem të listoj marketet që janë të mbyllura, të cilat i njeh i gjithë vendi. Në rajonin e Shkupit bëhet fjalë për “Vero” dhe “Viva Fresh”. Nuk ka asnjë arsye për t'u frikësuar për t'i thënë ato. Të gjithë ata që nuk respektojnë masat do të mbyllen dhe do të përmenden. Dhe ju mediat duhet të tregoni marketet që janë të mbyllura, sepse ndoshta ju sugjerojnë për shkak të reklamave dhe ju nuk i thoni, thjesht thoni që janë të mbyllura.”, - u shpreh ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Bekteshi njoftoi se nesër Qeveria duhet të marrë një vendim për uljen e çmimeve të pijeve, kurse po bëhen analiza edhe për uljen e çmimeve të produkteve higjienike, të cilat do të përfundojnë deri në fund të javës. (Ersan Pajaziti, TVM2)