Ligji për amnisti, Kovaçevski: Në duart e deputetëve

25.09.2023 18:19

Projektligji për amnisti...

Projektligji për amnisti, që para disa ditëve u kthye në ripërpunim në Ministrinë e Drejtësisë, të martën përsëri do të jetë në seancë qeveritare për shqyrtim.  Kryeministri Kovaçevski thotë se shqyrtimi në seancë qeveritare bëhet për shkak të nevojës për harmonizim, por njëjtë, si edhe ndryshimet në Kodin Penal, ashtu edhe ligji për amnisti, që është për vepra më të vogla penale, është në duart e deputetëve. Fjalën e fundit për projektligjet, gjithmonë e japin të zgjedhurit e popullit, thotë ai. 

“Ka të bëjë me vepra më të vogla penale, është prezantuar në seancë qeveritare për harmonizim teknik në sektorin e legjislacionit. Është dhënë afat deri në seancën e nesërme dhe si i tillë kur të harmonizohet do të dorëzohet në Kuvend. Nga deputetët varet a do të sillet, në çfarë forme do të sillet dhe a do të miratohet.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Kovaçevski është pyetur për përplasjet verbale mes ish-kryetarit dhe kryetarit aktual të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe Hristian Mickoski. Duke mos dashur të komentojë zhvillimet e partive tjera politike, ai tha se për vendin është bashkëveprimi në drejtim të anëtarësimit të plotë në BE, që s’mund të arrihet pa ndryshimet kushtetuese.

“Unë disa herë kam thënë se çështje kyçe në shtet është që të gjithë të bashkohemi në ndërtimin e një shteti evropian, që bashkërisht të marrim vendime që nënkuptojnë prosperitet për shtetin. Kjo do të thotë nga marrja e vendimeve në Kuvend, që do ta hapin rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Përplasjet Gruevski – Mickoski, Kovaçevski: Me rëndësi integrimi i vendit në BE

Ish-kryetari dhe kryetari aktual i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe Hristian Mickoski, janë përplasur verbalisht përmes Facebook-ut dhe si shkas u morën reagimet në opinion se ndryshimet në Kodin Penal janë bërë për të mundësuar kthimin e Gruevskit në Maqedoninë e Veriut në shkëmbim të ndryshimeve kushtetuese.

Lideri Mickoski ka thënë se nuk do të lejojë marrëveshje personale në kurriz të interesit të VMRO-DPMNE-së. Ndërsa nga ana tjetër, Gruevski mohoi të ketë marrëveshje të fshehtë me Qeverinë për të ndikuar tek ndryshimet kushtetuese. (Sanije Duraku, TVM2)