Maqedoni

Inspektorati i Arsimit, shkolla “Njegosh” i plotëson të gjitha kushtet për hapjen e paraleles shqipe

25.09.2023 18:41

Inspektorati i Arsimit ka konstatuar se Shkolla Fillore “Njegosh” pranë komunës së Gazibabës...

Inspektorati i Arsimit ka konstatuar se Shkolla Fillore “Njegosh” pranë komunës së Gazibabës i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për hapjen e një paraleleje shtesë pë klasën e gjashtë në gjuhën shqipe. Këtë për TVM-2 e konfirmoi drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Halit Ferati. Procesverbalin pritet që t’i dorzohet Ministrisë së Arsimit dhe komunës së Gazibabës. 
 
“Isnpektorati ka konstatuar gjendjen faktitke ku qëndron problemi dhe cili është realiteti në atë subjekt. Pas inpektimeve konstatuam se ka infrastrukturë të mirë dhe instititucioni i plotëson kushtet dhe kriteriumet që të ketë numër më të madh të nxënësve dhe nuk ka nevojë për një objekt tjetër, sepse ai objekt ka kushte dhe shpresojmë që ata fëmijë procesin edukativo-arsimor ta ndjekin në atë objekt. Problemi është se drejtori i shkollës dhe kryetari i komunës nuk i kryejnë obligimet e veta ligjore që i kanë obligim dhe janë përgjegjës për nisje të procedurës.”,- deklaroi drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Halit Ferati. 
 
Vendimi i Inspektoratit të Arsimit që pritet t’i dorëzohet ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri, do të vendosë si do të veprohet më tej me mësimin shqip nga klasa e gjashtë e deri atë të nëntë në Shkollën Fillore “Njegosh” të komunës së Gazibabës.
 
“Inspektorati Arsimor duhet të vërtetojë situatën faktike të gjendjes atje për çështjen e hapësirave dhe numrit të nxënësve. Nëse vërtetohet e kundërta, të cilën na thoshte kryetari i komunës, atëherë nuk kemi një transparencë midis komunikimit, midis palëve. Do të thoja patjetër që po, do t’i vendos afat menjëherë pas dhe nuk do të jetë afat i zgjatur se u stërzgjat procedura. Në qoftë se vendosim për t’i marrë ingerencat do të marrim të gjithë brenda sistemit arsimor, nëse brenda afatit nuk realizon atë të cilën e ka obligim ligjor dhe kushtetues për ata fëmijë.”, - theksoi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
 
Ndërkohë prindërit e nxënësve me këmbëngulje insistojnë hapjen e paraleles në gjuhën shqipe në godinën e shkollës “Njegosh”. Në takimin me ministrin e arsimit morën sërish premtime për zgjidhjen e problemit. Prindërit e nxënësve janë të bindur se shkolla i plotëson kushtet për hapjen e paraleles.
 
“Nga ky takim i sotëm që patëm ne me të vërtetë kemi mbështetjen e madhe nga ana e ministrit dhe jemi në qëndrimin e njëjtë, ne nuk lëshojmë pe, ne kërkojmë që paralelja e gjuhës shqipe veç në shkollën “Njegosh”. Edhe nga ajo që është dërguar inspektorati nga ana e ministrit ne kemi disa informata se inspektorati e ka verifiku dhe ka vërtetu se ka vende dhe ne mundemi me fillu.”,- u shpreh Rizvan Seferi nga Këshilli i Prindërve.
 
Këshilli i Prindërve tha se tashmë në hyrje të Shkollës Fillore “Njegosh” kanë protestuar prindërit maqedonas kundër mësimit shqip. Nga Komuna e Gazi Babës përsëritën se paralelja shqipe për klasë të gjashtë nuk mund të hapet për shkak se shkolla nuk ka hapësirë të mjaftueshme për paralele shtesë. 
 
FITORE DEMOLLI