Botë
Konflikti ushtarak Rusi-Ukrainë, Forcat ukrainase: Rrëzuam 26 dronë rusë
26.09.2023 10:14
Rusia ka sulmuar Ukrainën me 38 dronë gjatë natës, tha të martën forca ajrore e Kievit...

Forcat ruse kanë sulmuar Ukrainën me 38 dronë gjatë natës, thonë forca ajrore e Kievit, ndërsa forcat ukrainase thonë se kanë rrëzuar 26 prej tyre.
Porti i Danubit për eksportimin e drithërave ukrainase, Izmail, u godit sërish. Dronët që depërtuan e goditën infrastrukturën përreth Izmailit, duke i dëmtuar më shumë se 30 automjete dhe duke i lënduar dy vozitës gjatë sulmit që zgjati dy orë, tha guvernatori rajonal i Odessas, Oleg Kiper. Që nga korriku, kur Moska u tërhoq nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, e cila mundësonte eksportimin e sigurt të drithërave përmes Detit të Zi, Rusia i ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës së Ukrainës për eksportimin e drithërave në jug të Odessas dhe në rajonet e Mikolavit.
Izmail, i cili ndodhet në kufi me anëtaren e NATO-s, Rumaninë, është shndërruar në një rrugë kryesore të eksportit për prodhimet bujqësore të Ukrainës, që kur Rusia u tërhoq nga marrëveshja për drithërat. Ky qytet është sulmuar vazhdimisht nga dronët rusë gjatë natës në javët e fundit. Si pasojë e sulmit gjatë natës së fundit, katër persona u plagosën në fshatin Kiselivka në rajonin e Hersonit.
